Çfarë e pengon traktatin mbrojtës mes Shqipërisë dhe Kosovës?
“Sa i përket bashkëpunimit tonë dypalësh, është me rëndësi për një traktat për mbrojtje të ndërsjellë. E kam bërë prej vitesh këtë propozim që është në harmoni me praktikat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe aleatët tanë strategjikë. Ka ardhur koha që të bëjmë hapat e duhur në këtë drejtim”.
Me këto fjalë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani riktheu në vëmendje një propozim të hershëm përmes të cilit kërkohet lidhja e Shqipërisë dhe Kosovës në një marrëveshje mbrojtjeje reciproke në raste luftërash.
Osmani thotë se marrëveshja nuk bie ndesh me praktikat ndërkombëtare, madje aplikohet edhe nga aleatët strategjikë të dy vendeve. Ajo nuk solli ndonjë rast, por ka të drejt kur thotë se aplikohet edhe nga vendet e mëdha anëtare të NATO-s.
Rasti më i freskët janë dy marrëveshjet e nënshkruara nga Boris Johnson me Suedinë dhe Finlandën. Në të dyja rastet, Britania e Madhe zotohet që të ndihmojë ushtarakisht, qoftë edhe me trupa dy vendet në rast se sulmohen, ndërsa dy vendet zotohet që të ndihmojnë Britaninë në rast se kjo e fundit sulmohet.
Shembuj të tjerë ka plotë. Turqia me Azerbajxhanin është një i tillë. Recep Taip Erdogan dhe Ilham Aliyev kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh në fushën e bashkëpunimit ushtarak dhe të sigurisë. Në to parashikohet nën moton ‘dy shtete një komb’ ndihma e pakufizuar ushtarake në rastet kur njëri vend sulmohet nga tjetri.
Ndihma turke ndaj Azerbajxhanit u testua në konfliktin e fundit për Nagorno-Karabakhin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Armenia akuzoi se në luftën e shkurtër nga e cila doli e humbur u përfshi edhe Turqia ushtarakisht, sidomos me dronë dhe avionë luftarakë.
Shembuj të tjerë ka plot, por nisur nga këta dy në pamje të parë duket sikur nuk ka asnjë pengesë juridike që një marrëveshje të tillë ta nënshkruajë Shqipëria me Kosovën. Por, pengesa politike është ajo që nuk është kapërcyer deri më tani dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për vullnetet politike në Tiranë dhe Prishtinë.
Shqipëria nuk ka peshën e Britanisë së Madhe e të Turqisë në NATO dhe në gjirin e Aleancës ka vende që nuk njohin ende pavarësinë e Kosovës, pesë prej të cilave vende anëtare edhe të Bashkimit Europian.
Një marrëveshje e tillë mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të shkaktonte reagimin e tyre, që të pasonte një efekt domino, që më pas mund të dëmtojë të dyja vendet, Shqipërinë te negociatat ende të pahapura mirë me BE, Kosovën te përpjekjet për të liberalizuar vizat dhe anëtarësuar në NATO.