Inxhinieri austriak që eci mbi 800 km përmes Shqipërisë për dy muaj
Mes mijëra turistëve të raportuar nga INSTAT-i që kanë hyrë në vendin tonë në qershor të këtij viti ishte edhe një turist i veçantë.
Ai nuk është pjesë e atij që quhet ‘turizëm elitar’, por me përfshirjen e Shqipërisë në hartën e aventurës personale që ka nisur prej 2018-s është një promovim i mirë i vendit tonë.
Bëhet fjalë për Thair Abud, austriaku që ecën prej prillit të 2018-s. Ai ka ndërmarrë një udhëtim në këmbë për të bashkuar dy kepet në dy hemisfera. Në prill të 2018-s u nis nga Nordkapp në Norvegji për të zbritur ngadalë në jug me destinacion final, Cape Toën në Afrikën e Jugut.
Është një distancë mbi 26 mijë kilometra, ku 818 prej tyre Abud i ka ecur vetëm përmes Shqipërisë.
Në Shqipëri ai është futur nga kufiri me Malin e Zi në datë 13 qershor, ka ecur në jug në drejtim të Tiranës, Fierit, Beratit, Gjirokastrës e më pas në Butrinti për të dalë nga pika kufitare e Qafës së Botës më 8 gusht dhe vazhduar më pas ecjen në Greqi.
“Pata dy muaj të mrekullueshëm në Shqipëri”, thotë ai në lidhje me përshtypjet që pati gjatë ecjes në vendin tonë.
Thair Abud, me profesion inxhinier thotë se ka nisur të ecë në vitin 2012, kohë kur la duhanpirjen.