Videot kryesore
Është mbajtur këtë vit maratona me 70 notarë që garuan për të kaluar me not ngushticën nga Ksamili në Korfuz.
Në maratonën 2 milje të gjatë morën pjesë notarë nga shumë vende të botës, deri në Australinë e largët.
Ky ishte edicioni i dytë i kësaj maratone që si qëllim primar të saj ka promovimin e turizmit në këtë pjesë të rivierës shqiptare.
Nisja e notarëve u bë nga vendi i quajtur “Pema e Thatë” dhe ata kaluan në pjesën më të ngushtë mes Ksamilit dhe Korfuzi. Kjo maratonë noti është edhe një homazh për të gjithë ata të rinj që humbën jetën në këtë ngushticë, në përpjekje për t’ju arratisur regjimit komunist.
Këshilli i bashkisë së Nju Jorkut organizoi mbrëmë një ceremoni festive për 107 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Me rastin e Ditës së Flamurit, këshilli nderoi disa prej veprimtarëve të dalluar të qytetit. Ne kete video kengetari nga Kosova, Ilir Shaqiri këndon këngën "Rrjedh në Këngë e ligjërime"”,
Një banesë është përfshirë nga flakët në qytetin e Pogradecit këtë të shtunë.
Pamjet e siguruara nga gazeta “Si”, tregojnë shtëllungat e tymit që dalin nga shtëpia në fjalë. Fatmirësisht nuk ka asnjë person të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Mbetet e paqartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin në këtë banesë.
Sonda Evropiane “Solar Orbiter” drejtuar Diellit u nis nga baza amerikane Cape Canaveral me një raketë të tipit “Atlas 5”. Nis kështu misioni më ambicioz i organizuar ndonjëherë drejt yllit tonë, i krijuar nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) në bashkëpunim me NASA-n.
Kriza me të cilën po kalojnë njerëzit në tokë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri nuk e ka ndaluar Elon Musk që të vazhdojë të shohë nga qielli.
Kompania e tij, Space X lëshoi në hapësirën dërgesën e radhës me satelitë, që miliarderi amerikan thotë se janë pjesë e projektit gjigant “Lidhja e Yjeve” (Starlink), që do të përmirësojë ndjeshëm si mbulimin me internet të globit, ashtu edhe cilësinë e shpejtësinë e internetit.
Këtë radhë bëhej fjalë për rreth 400 satelitë që u hodhën në orbitë duke shfrytëzuar anijen hapësinore “Falcon 9” e cila u ngrit nga Cape Canaveral Air Force Station në Florida. Një pjesë e tyre u pa me sy të lirë edhe nga Tirana.
Kjo është dërgesa më e madhe e hedhur ndonjëherë në hapësirë si pjesë e këtij projekti, që Elon Musk synon që të zgjerohet me 12 mijë satelitë dhe mundësinë që ky numër të shkojë në 42 mijë të tillë.
Musk është i bindur se në përfundim të projektit nuk do të ketë cep të globit pa akses në internet, ndërkohë që kritikuesit e programit e qortojnë duke deklaruar se numri i lartë i satelitëve mund të ndikojë në destabilizimin e klimës në Tokë.
Gjashtë bova të reja (shenja dalluese në liqen), 3 prej të cilave me sinjal ndriçues për natën janë vendosur në vijën kufitare me Malin e Zi në liqenin e Shkodrës.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, tha sot se “bovat u vendosën nga helikopterët e Forcës Ajrore në mirëkuptim të plotë me palën malazeze”.
Peshkatarët shqiptarë dhe malazezë, por edhe policitë kufitare të të dy vendeve do ta kenë më të lehtë të orientohen dhe të dallojnë vijën kufitare gjatë lundrimit në liqenin e Shkodrës
Ambasadorja amerikane në Tiranë njohu përpjekjet e autoritetet shqiptare në luftën kundër korrupsionit, por duke folur në konferencën e prezantimit të raportit të GRECO-s për antikorrupsioni, Yuri Kim tha se vendi përballet ende me një mal me probleme.
“Në lidhje me korrupsioni ka një mal me probleme në Shqipëri dhe përpjekjet e bëra pas reformës në drejtësi nuk duhen marrë si deklarata fitoreje”, u shpreh Kim.
Kryediplomatja amerikane tha se SHBA do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të çrrënjosur korrupsionin, por kërkoi nga Qeveria që të tregojë më shumë vullnet për t’u anuar nga ana e qytetarëve. Kim foli përmendi që nga korrupsioni më i rëndomtë në zyrat e shtetit, deri tek format më të ndërlikuara të tij me fryrjen e vlerës së tenderave.
“Një nga mënyrat për të çrrënjosur korrupsionin është të punosh në emër të qytetarëve dhe jo në emër të interesave të ngushta. Qytetarët kanë nevojë që paratë e tyre të investohen për përmirësimin e jetës së tyre. Të gjitha qeveritë vuajnë nga një nivel korrupsioni, por qeveritë mund të dënojnë ata që bëjnë korrupsion. Policia, prokurorët dhe gjyqtarët e pavarur janë thelbësorë për një qeverisje të mirë. Do të ketë gjithmonë aktorë të këqinj, por qeveritë duhet t’i dënojnë duke treguar që qeveria është në krahun e njerëzve”, tha ambasadorja.
Edhe Kryeministri Edi Rama i mëshoi reformës në drejtësi si mekanizmi që do të luftojë korrupsionin. Por, ai e cilësoi të gabuar perceptimin se koka e korrupsionit në Shqipëri janë politikanët.
“Koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët. Nuk kanë qenë politikanët, pavarësisht se kanë qenë pjesë. Koka ka qenë gjykatësit dhe prokurorët që kanë garantuar pandëshkueshmërinë në këtë sistem. Po të mos kishin qenë këta, nuk do të kishin qenë as korrupsioni spektakolar dhe nganjëherë edhe vrastar i politikanëve. Nëse nuk vendoset në themel të drejtësisë kurbani i korrupsionit 30-vjeçar, që është fiks tek korporata që vettingu po e shpërbën, por nuk mjafton, atëherë ngrehina nuk do të qëndrojë dhe historia do të përsëritet dhe do të përsëritet keq”, tha Rama.
Palët politike rivale të udhëhequra nga Edi Rama majtas dhe Lulzim Basha djathtas janë përshirë në një debat të ethshëm për çështjen e taksave, duke u paraqitur qytetarëve avantazhet e propozimeve të tyre, i pari me taksën progresive dhe i dyti me taksën e sheshtë 9 për qind.
Por, në të gjithë këtë debat të dyja palët po i qëndrojnë larg debatit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për ushqimet bazë të shportës së konsumit të një familjeje. Shqipëria është ndër të paktat vende në Europë që nuk diferencon nga TVSH 20 për qind ushqimet e shportës dhe premtimi për heqjen e këtyre produkteve nga kjo skemë është bërë gjithmonë në opozitë e “harruar” në pushtet.
Një premtim për heqjen e TVSh-së për produktet e shportës është bërë në 2011 nga Edi Rama. Përmes rrjeteve sociale, Rama ilustronte me shembuj se sa do të kursenin familjet nga heqja e TVSh-së për ushqimet e shportës.
“Lejomëni të ndaj me ju një ilustrim të thjeshtë grafik të propozimit tonë për heqjen e taksave të Saliut mbi bukën, qumështin, vezët, ilaçet, duke ju thënë të gjithë atyre që thonë ku e keni programin se ja, kjo është një copëz e programit që prej më shumë se një muaji e kemi shtruar publikisht, por pakkush ndër komentatorët e ka rrokur në brendinë e vet”, sqaronte ai tabelën e çmimeve ilustruese të mësipërme.
Në dhjetor të 2011, socialistët në atë kohë në opozitë dorëzuan në Kuvend një propozim konkret për të hequr TVSh për produktet e shportës duke deklaruar në relacionin shoqërues të nismës se kjo do të ulte çmimet dhe do të ndihmonte shtresën në nevojë. Propozimi ishte pothuajse identik me premtimin elektoral të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2005-ës.
Por, propozimi u rrëzua nga mazhoranca PD-LSI. Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha deklaronte se TVSh 20 për qind për produktet e shportës mbronte prodhimin vendas dhe se me heqjen e saj tregu do të dyndej nga produktet e importit. Megjithatë, Rama nuk hoqi dorë dhe në 2013 premtimin e përfshiu te platforma qeverisëse të Partisë Socialiste.
Verën e 2015-ës flamurin e këtij premtimi e ngrinte Lulzim Basha.
“Një nga zgjidhjet që duhet të japim është të heqim TVSH-në për miellin, për bukën, për sheqerin, për vajin, për orizin. Të paktën për këto mallra. T’ua bëjmë bukën qytetarëve që ta blejnë 20 për qind më pak se sa çmimi i tregut sot”, deklaronte Basha.
Thuajse gjashtë vite më vonë, ai vjen me propozimin e taksës së sheshtë 9 për qind, ndërsa për zerimin e TVSH-së së shportës, pra ushqimeve bazë të qytetarëve, as ai dhe as Edi Rama nuk flasin më.
TVSh në Shqipëri është në nivelin 20 për qind me një nivel të reduktuar prej 6 për qind, ku nuk bëjnë pjesë ushqimet e shportës. Niveli i reduktuar prej 6 për qind aplikohet prej 2017-ës në sektorin e turizmit dhe agro-turizmit dhe të librave, ndërsa të përjashtuara nga kjo skemë janë eksportet, shërbimet shëndetësore, importi i inputeve dhe makinerive bujqësore etj.
Në rajon, Maqedonia e Veriut aplikon prej 1 janarit të këtij viti një TVSh standarde prej 10 për qind për të gjitha kategoritë që lidhen me furnizimin dhe shitjen e ushqimeve dhe pijeve, ndërsa para këtij ndryshimi aplikonte një taksë me dy nivele, 18 dhe 5 për qind. 18 për qind ishte TVSh në rastet e konsumit të ushqimit në vendin e furnizimit (baret, restorantet, fast food-et, shërbimi “Merre me vete”, etj), ndërsa 5 për qind për miellin, bukën, orizin, vajin, kripën në rastet kur bliheshin në dyqane.
Kosova aplikon një TVSH standarde prej 18 për qind dhe një normë të reduktuar prej 8 për qind për ujin (me përjashtim të ujit të ambalazhuar në shishe), furnizimin me energji elektrike, përfshirë transmetimin dhe shpërndarjen, drithërat dhe nënproduktet e tyre, si mielli, buka dhe produkte të ngjashme, vajin për gatim, kripën, vezën dhe librat.
Me TVSH të reduktuar 8 për qind janë edhe furnizimet mjekësore, farmaceutike dhe shërbimet e ofruara nga industria e turizmit, për këtë të fundit me afat deri më 31 dhjetor të 2021 si nismë e qeverisë për të ndihmuar këtë industri.
Serbia aplikon një TVSh standarde prej 20 për qind, por aplikon nivelin e reduktuar prej 8 për qind për ushqimet bazë, ujin, gazetat, ilaçet, kompjuterat, etj.
Në Greqi, TVSh standarde është 23 për qind, por aplikon dy norma të reduktuara. 13 për qind për ushqimet dhe pijet, ilaçet, transportin dhe 6.5 për qind për hotelet, librat për fëmijë, gazetat dhe të tjera shërbime që klasifikohen si bazike.
Bosnje Herzegovina nuk ka asnjë përjashtim nga skema e TVSh-së standarde që e ka të vendosur në nivelin 17 për qind.
Ky video-përgjim po qarkullon së fundmi në rrjetet sociale. Në dëgjohet biseda mes dy personave për blerjen e votave për Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Njëri prej personave të regjistruar është identifikuar si shtetasi Etien Joka, i njohur si aktivist i LSI-së. Joka ka reaguar duke e cilësuar këtë video si montazh.
Kryeministri Edi Rama ndau me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një video të shkurtër nga bashkëbisedimet me aplikantët e nismës së ndërmarrë prej tij, “Gati për Shqipërinë”.
“Ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta”, shkruan kreu i Qeverisë.
Në videon në fjalë janë shqiptarë të suksesshëm jashtë vendit në fusha të ndryshme, kryesisht në fushën e teknologjisë, që japin idetë dhe hedhin propozime për projekte përkatëse në Shqipëri.
Nisma “Gati për Shqipërinë”, sipas Ramës, synon që të tërheqë dhe aktivizojë të rinjtë ekselentë për më shumë aktivizëm në vendimmarrjet e qeverisë.
Aplikimet për këtë vazhdojnë dhe ato priten në adresën [email protected].