Video të fundit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zëvendësuar 13 vëzhguesit e KZAZ-së numër 30 në Tiranë, që u shndërrua në orët e mbrëmjes së të hënës në arenë të një sherri masiv mes përfaqësuesve të palëve politike rivale.
Komisioneri Celibashi u ndal në këtë KZAZ pas mesnatës dhe njoftoi vendimin e heqjes së akreditimit për 13 vëzhguesit e të gjitha partive politike dhe kandidatëve të pavarur, pas këtij sherri dhe zëvendësimin e tyre me 13 emra të rinj.
Procesi i numërimit u pezullua për disa orë, për të rinisur pas zëvendësimit të protagonistëve të zënkës masive, që u raportua se ishin përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Zënka u qetësua me ndërhyrjen e policisë, që tha se fillimisht janë përleshur një vëzhgues dhe një numërues dhe më pas sherri është përshkallëzuar në masë, ku nuk janë kursyer as karriget dhe sende të tjera të forta.
KQZ nuk raporton dëmtim të materialeve zgjedhore nga ky incident.


Lulzim Basha është i bindur se opozita do ta përmbysë rezultatin, thotë se deri më tani janë hapur kutitë në zonat bastion të Partisë Socialiste dhe akuzon PS se po bllokon procesin e numërimit në bastionet e Partisë Demokratike.
“Derisa janë ndëshkuar në ato që i konsideronin si bastione, ne presim që fitorja e Aleancës për Ndryshim të konfirmohet në të gjithë vendit. U bëj thirrje t’i lënë lojërat, të vazhdohet numërimi, sepse vullneti i popullit është në ato kuti. Numërimi do të bëhet në mënyrë strikte. Unë jam i bindur se në fund të këtij numërimi fitorja do të jetë e prekshme”, tha Basha.


Ky video-përgjim po qarkullon së fundmi në rrjetet sociale. Në dëgjohet biseda mes dy personave për blerjen e votave për Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Njëri prej personave të regjistruar është identifikuar si shtetasi Etien Joka, i njohur si aktivist i LSI-së. Joka ka reaguar duke e cilësuar këtë video si montazh.


"Kemi ngritur grupet e gatshme. Çdo person që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit. U vra njëri për shkak të shpërndarjes së parave, sot shpëtoi ky. Unë u bëj thirrje të gjithë banorëve të Dibrës që të dalin ta mbrojnë me gjak, me sëpatë, me drunj apo me çfarë të dalë përpara votën”.
Kjo ishte deklarata e një dite më parë e Xhelal Mziut, kryesues i listës së Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës, që nxiti reagime të forta. Mziu foli pasi mbështetës të Partisë Demokratike bllokuan një automjet në zonën e Maqellarës nën dyshimet se po shpërndante para për blerjen e votës për Partinë Socialiste.
Por, një ditë pas këtij mesazhi, Xhelal Mziu ka kërkuar ndjesë dhe duke e cilësuar deklaratën të nxituar për shkak të emocioneve të momentit.
“Me sinqeritetin më të madh, shpreh keqardhjen time dhe pendesën time për komentin tim të panevojshem dje, për shkak të emocioneve të forta të momentit. Dua të jem i qartë: unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam KUNDËR dhunës! Jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve”, thotë Mziu.


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve auditoi pajisjet elektronike që do të përdoren për të votuar si projekt pilot në njësinë numër 10 në Tiranë.
Pajisja SmartMatic përveç funksionit parësor, që ka, atë të votimit elektronik mundëson edhe një proces shumë më të shpejt numërimi, që mund të kryhet edhe drejtpërdrejtë në Qendrën e Votimit, pa qenë nevoja e grumbullimit nëpër KZAZ.
Vetë KQZ ka vendosur që rezultati për njësinë 10 të dalë para orës 08:00 të datës 26 prill, ndërsa për rezultatin në zonat e tjera të vendit ka vendosur si objektiv përmbylljen e gjithë procesit të numërimit brenda 48 orëve.
Ndërkohë, KQZ njofton se këtë të enjte do të përfundojë dërgimi i materialeve zgjedhore në Qarqet Vlorë, Shkodër, Dibër, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Fier dhe Berat, ndërsa brenda të premtes do të përmbyllet procesi i shpërndarjes së tyre në qarqet e mbetura.
Gjithashtu, KQZ njofton se në 5199 qëndrat e votimit që do të ngrihen në të gjithë vendin do të ketë edhe fletë votimi me alfabetin “Braille” për votuesit që nuk shikojnë.


Ndërhyrja e Policisë Bashkiake të Fierit në heqjen e një banderole gjigante të LSI-së të vendosur në një ndërtesë në qendër të qytetit ka nxitur reagimin e kandidatëve për deputetë dhe mbështetësve të kësaj partie.
Ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, që më 25 prill kandidon si e dytë në listën e kësaj partie në Qarkun e Fierit, fill pas Monika Kryemadhit, akuzoi Bashkinë e Fierit se po shkelte ligjin.
Debati degjeneroi në një moment edhe në përlashje fizike mes mbështetësve të LSI-së dhe punonjësve të Policisë Bashkiake të Fierit në ambientet e brendshme të policisë.
Mehmetaj akuzon se policia bashkiake ka hequr banderolat e LSI-së dhe vendosur të Partisë Socialiste duke shkelur ligjin.
Në lidhje me këtë përplasje ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta.
“U bëj thirrje kandidatëve të LSI në Fier të mos bien pre e provokimeve të Policisë Bashkiake për çështjen e banderolave dhe ta tejkalojnë me urtësi këtë moment. Ndërsa po u prek një votë ditën e votimeve t'i mprehin sfurqet, se si gratë trime të Libofshës do t'i ndjekim këmba-këmbës horrat, nëse nuk kanë kuptuar gjë akoma”, shkruan Presidenti.
Banderola e LSI-së ishte e vendosur pranë skenës që po ngrihej nga Partia Socialiste në qytetin e Fierit, ku pasditen e së mërkurës, Kryeministri Edi Rama do të mbyllë fushatën në këtë Qark.


Grimca të humorit të hollë shkodran janë shfrytëzuar nga Kryeministri Edi Rama për të kërkuar votën për Partinë Socialiste dhe kandidaten, Edona Bilali. Ky është mesazhi i dukshëm i videos së mësipërme të publikuar nga kryesocialisti.
Por, nëse merren parasysh zhvillimet e fundit politike, e sidomos ftesa që Rama i ka adresuar Lulzim Bashës për bashkëpunim dhe për t’u shkëputur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, videoja e mësipërme mund të interpretohet edhe si “bashkëqeverisje” mes PD e PS.


Nëse një i infektuar me Covid paraqitet në qendrën e tij të votimit, komisionerët i gjejnë emrin dhe pasi kryejnë të gjitha procedurat që lidhen me identifikimin dhe regjistrimin do ta lënë atë të votojë pa asnjë pengesë.
Burime të Gazetës Si nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thonë se nuk është në tagrin e këtij institucioni që të gjurmojë personat e infektuar me Covid dhe t’u imponojë atyre zbatimin e akteve ligjore në fuqi për izolimin e karantinimin, që rrjedhimisht e përjashton këtë kategori nga e drejta për të votuar më 25 prill.
“KQZ është roje vetëm për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të respektimit të Kodit Zgjedhor dhe të akteve të nxjerra nga vetë KQZ”, thonë burimet.
Ky qëndrim u konfirmua tërthorazi edhe nga Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, kur u pyet në lidhje me vendimin e Komitetit Teknik për të karantinuar emigrantët që kthehen në Shqipëri.
“Në procesin e votimit, anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit nuk doktorë nuk bëjnë vlerësimin e askujt nëse duhet të paraqitet apo të mos paraqitet në qendrat e votimit. Kush paraqitet në qendrën e votimit do të lejohet që të votojë”, deklaroi Celibashi.
Burimet shtojnë se deri më tani nuk kanë asnjë listë emërore me emra të personave të infektuar me Covid.
“Së pari, edhe nëse do ta kishim një listë të tillë ligjshmëria e saj, përsa na takon ne (KQZ) si institucion do të ishte e dyshimtë. Së dyti, lista të tilla janë dinamike, sepse një person që mund të jetë sot pjesë e saj, s’është nesër pasi mund të rezultojë negativ në testet anti-Covid”, sqarojnë burimet.
Dalja ose jo në votime e persona të infektuar me Covid mbetet në dorë të vullnetit të tyre dhe bashkë me të edhe të gatishmërisë që kanë për t’u përballur me pasojat ligjore, që shkojnë në gjoba deri në 700 mijë lek.
Shqipëria numëron aktualisht rreth 25 mijë të infektuar aktivë. Deri të dielën, kur do të votohet kjo shifër pak pritet që të luhatet. Pjesa dërrmuese e kësaj kategorie janë persona me të drejtë vote, që e përkthyer në mandate deputetësh mund të jetë përcaktuese për dy deri në tre të tillë.


Ndriçim Jonuzi, njeriu i shpallur në kërkim nga policia si autor i plagosjes së ndodhur në zyrën elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së hënës, ka reaguar përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, ku mohon se pas këtij sulmi qëndrojnë motive politike.
Jonuzi shprehet se nuk është krenar për çfarë ka bërë, por nga ana tjetër kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me politikën. Ai shpjegon se sherri ka nisur pas provokimit të të rinjve teksa Jonuzi po kalonte në rrugë, ndërsa ata i kishin zënë rrugën një të njohuri të tij, i cili ishte bashkë me të ëmën duke shkuar për të çelur iftarin. Tahiri thotë se ai vetëm u ka thënë ‘Hape rrugën, se sheh që ke një nënë aty me shami?!’.
Më tej, ai shprehet i zhgënjyer nga deklaratat e kreut të PD Lulzim Basha, që e cilësoi si militant të PS. 40-vjeçari shprehet se në fakt ai ka qenë gjithë jetën militant i PD-së dhe se nuk i vjen mirë që Basha i ka hedhur poshtë gjithë ato sakrifica për PD-në. Ai zë me radhë të gjithë ish-kryetarët e ministra të PD me të cilët ka punuar ndër vite, derisa vjen në vitin 2017 ku ka hapur lokalin e tij për simpatizantët e PD. Por jo vetëm kaq, Jonuzi tregon se Lulzim Basha ka qenë në lokalin e tij i cili në 2017 ishte kthyer në një bazë të PD-së për 1 muaj me radhë.
Sekretari i Partisë Demokratike, Bledar Okshtuni i cili u plagos mbrëmjen e së hënës me armë zjarri. Ai ka deklaruar se sherri me Ndriçim Jonuzin ka nisur për një vend parkimi.
Autori i cili është shpallur në kërkim Ndriçim Jonuzi ka pretenduar se makina e 27 –vjeçarit i kishte bllokuar rrugën. “Jonuzi me ka ofenduar, u konfliktuam fillimisht fizikisht e pastaj ai nxori armën”, ka deklaruar Okshtuni.
Bledar Okshtuni u plagos me armë zjarri nga Ndriçim Jonuzin. Fillimisht ata janë konfliktuar verbalisht, ndërsa më pas Jonuzi është futur brenda zyrës së PD-së, e cila ndodhet në qendër të qytetit dhe ka qëlluar më armë zjarri në drejtim të 27-vjeçarit duke e plagosur këtë të fundit në këmbë.
Ndërkohë në kërkim nga policia janë shpallur edhe Markel Shtylla dhe Dorian Troplini.


Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë nënshkruar një marrëveshje parazgjedhore, sipas të cilës dy partitë angazhohen për koalicion të përbashkët paszgjedhor.
Por, megjithatë deri mbrëmjen e kësaj të diele, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nuk janë shfaqur në asnjë moment bashkë në fushatë.
Gjërat ndryshuan mbrëmjen e kësaj të diele, një javë para mbajtjes së zgjedhjeve, ku Basha e Kryemadhi u shfaqën në krah të njëri-tjetrit në zonën e Kombinatit në Tiranë.
“Shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë për ndryshim dhe ne jemi të vendosur që votën për ndryshim ta kthejmë në një qeverisje të shpresës. Edhe Edi Rama e ka mësuar që më 25 prill ai humb dhe Shqipëria fiton dhe tani po përpiqet të hapë një deriçkë dhe kërkon që të bëhet pjesë e qeverisjes që do të qeverisë Shqipërinë pas 25 prillit. Koalicioni për ndryshim do të bëjë koalicion qeverisës me Lëvizjen Socialiste për Integrim me qëllim për t’i dhënë vendit një qeverisje të ndryshimit, të shpresës që do të hapë rrugën për Shqipërinë në Europë”, tha Basha.
Kreu i PD premtoi hapjen e negociatave brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së tij.


Një ngjarje e rëndë është shmangur në orët e pasdites falë ndërhyrjes së një efektivi të Policisë së Shtetit në momentin kur një shtetas me automjetin Volkswaggen u përpoq të godiste një tjetër qytetar.
Gazeta Si mëson se sherri ka lindur për motive të dobta, ku pas ofendimeve me fjalë, personi i arrestuar tashmë nga policia hipën në automjetin e tij tip Volkswaggen dhe pasi kthehet kundërvajtje godet automjetin e personit me të cilin debatoi.
Përplasja shkaktoi kaos për minuta me radhë në Bulevardin “Migjeni” në Tiranë, ku pas ndërhyrjes së efektivit civil të Policisë së Shtetit është bërë i mundur zhbllokimi i rrugës dhe normalizimi i situatës.


Në tetor të 2018-ës, pothuajse 3 vite më parë, Kryeministri Edi Rama premtonte përfundimin e Aeroportit të Kukësit, duke publikuar projektin 3D të tij.
Fillimisht tërmeti dhe më pas pandemia kushtëzuan përqëndrimin e Qeverisë tek ky projekt, që u shty për t’u përfunduar këtë të diel, kur në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Kukësit, “Zayed – Flatrat e Veriut” u ul avioni i parë.
Ai ishte avioni i Air Albania dhe sipas Kryeministrit Rama, pasagjerët e parë të tij ishin emigrantë shqiptarë në Londër, pikërisht ata që kreu i Qeverisë tha se kishin tallur më shumë përmes rrjeteve sociale projektin 3D ku ishte publikuar. Rama ironizoi me këtë pjesë.
“Unë jam real dhe aeroporti është real. Ma kanë lexuar librin e shtëpisë me pasion, sa herë që flisja për aeroportin e Kukësit. Njëri quhej Edi Rama dhe ishte PD-në, ishte real edhe ai. Gjatë e kishte Eduard, por e thërrisnin Edi Rama. Ishte edhe një tjetër që i thashë si e hëngre këtë rrenë. Më tha ta shohim deri në fund a e mban dot llafin. Tjetri që fola ishte demokrat e tha e mbajte llafin. I treti më tha se a ka vend për patronazhist te PS se nuk kthehem më. Sot një ditë e veçantë për shqiptarinë”, deklaroi Rama.
Për shkak të teknikaliteteve dhe burokracive deri në licencimin si aeroport ndërkombëtar, avioni i ulur këtë të diel në Kukës u ngrit nga Rinasi. Avioni i "Air Albania" u nis nga Londra ku mori emigrantë shqiptarë në Britaninë e Madhe, më pas është ndalur fillimisht në Rinas ku kanë marrë Kryeministrin Edi Rama dhe fluturimi ka vijuar drejt Kukësit.
Gjatë fjalës së tij Rama ka shpjeguar edhe pse aeroporti mban emrin “Zayed – Flatrat e Veriut”, duke kujtuar faktin se në Kukës qëndruan shqiptarët e dëbuar nga regjimi kriminal serb i kohës. Emri "Zayed" është në nderim të emrit të familjes së princit të kurorës së Emirateve të Bashkuara, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë, është përkujdesur për të sjellë ndihma të konsiderueshme.
Destinacionet e para të fluturimeve në Aeroportin e Kukësit do të jenë me disa qytete të Zvicrës, Gjermanisë dhe Italisë. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se ky aeroport do të sjellë një nxitje të ekonomisë dhe punësimit për të gjithë rajonin e veriut.


Gjendja e rënduar prej më shumë se 30 vitesh në Bulqizë ka zgjuar interesin e një minatori, i cili kandidon për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Elton Debreshi u pushua nga puna në minierën private ku punonte, pasi së bashku me minatorë të tjerë krijuan një sindikatë të re minatorësh. Pas një viti ai e sheh kandidimin dhe futjen në Parlamentin shqiptar si të vetmen mënyrë për t’i dhënë zë statusit të minatorit.