Lajme
Katër persona mbetën të plagosur pas një beteje që zgjati disa minuta me një derr të egër në një qytezë në veri-perëndim të Indisë.
Kafsha ka lënë një zonë të pyllëzuar aty afër dhe është parë në rrugët e qytezës. Punonjësit e një pike karburanti u përpoqën që ta kapin. Ky veprim i tyre shkaktoi tërbimin e derrit të egër, që rrëzoi me radhë njëri pas tjetrit punonjësit e pikës së karburantit dhe disa banorë që mbërritën aty për t’i ndihmuar.
Beteja me derrin ka zgjatur përtej këtyre pamjeve filmike, deri në momentin që kafsha ka gjetur një rrugëdalje për t’u rikthyer në andej nga doli.
Ai film theu një tabu! Sipas Nerit, problemi i narkomanisë asokohe, filloi të bëhej një problem i Shqipërisë, e mendësia komuniste ishte, që nuk i themi ato gjëra. “Prandaj ai film tha ca gjëra të vërteta. Ai në fakt ka qenë filmi im i katërt dhe një eksperiencë tejet e bukur, me një specifikë të veçantë, një grup njerëzish, që kanë një jetë ndryshe nga njerëzit e tjerë dhe duhet ta njohësh mirë mendësinë e tyre, duke u përpjekur ta nxirrnim sa më të vërtetë atë...”, thotë ai.
Ndërsa më tej, Neri ka folur për “Gazetën Si” për atë “rebelizmin e tij”, apo prizmin si e shihte jetën ndryshe në ato vitet e rinisë, duke përmendur madje edhe një emër politikani të sotëm.
(Video 4)
“Duke qenë se jam i projektuar drejt arteve, kjo normalisht të bën pakëz rebel. Prizmi me të cilin sheh fenomenet është ndryshe dhe normalisht unë nuk isha i kënaqur, ku adoleshenca dhe rinia ime iku në një regjim, e ku njeriu nuk kishte më dinjitet. Ishte një dele e qëlluar me shpullë brenda një vathe”.
Më tej ai shpjegon edhe se si Fatmir Xhafa, ishte njeriu që në lice u mor me të për “çerek ore, për një palë pantallona tub. “Ndërkohë që unë isha artist, në atë timen, e tashmë e sheh që të bën të ndershmin e moralistin”, thotë ai.
“Nuk kisha liritë”, rrëfehet Neri më tej, ndërsa ishte 19-vjeç, ku e motra e tij, bën një akt disidence të pastër, apo “grusht knokdoën” siç i thotë Neri, duke u arratisur e “duke parë se si ligjet e proletariatit, u shkruan në kurrizin tim me shkop gome, më keq se bluza e Juves.
“M’u larguan njerëzit sikur të isha Djalli, e normalisht kjo më hapi sytë. Për fat të mirë ishte regjimi në ditët e fundit. 21 vite ikën me regjimin diktatorial dhe 29 të tjera, më ikën në tranzicion. Sot unë jam një 50-vjeçar!”, mbyll rrëfimin e tij për Gazetën “Si”, Neritan Liçaj.
Neritan Liçaj është një nga ata aktivistë, që mbahet mend e për qëndresën e tij në Teatrin Kombëtar, së bashku me aktorë të tjerë a dashamirës. Në fillim të korrikut 2019, ai u ndesh me forcat policore përkrah Edmond Budinës, ku një foto e tij qarkullon edhe sot në internet. Ai mbahet mend edhe si “zjarrmi” i kësaj proteste. “Gazeta Si” e ka pyetur Nerin edhe për këtë.
“Në shkurt mbush dy vite nga kjo qëndresë, e që nga 18 korriku, jemi 24 orë atje. Deri tani jemi në avantazh të thellë. I vërtetuam opinionit shqiptar e atij botëror, pasi u kuptua se nuk bëhej fjalë për të ndërtuar një teatër të ri, por për të shkatërruar një qendër historike në Shqipëri, - një simbol të artit, e vjedhjen e pronës publike. Ne jemi sulmuar edhe politikisht dhe e bukura qëndron se, propaganda e ulët thotë se ne jemi të pozicionuar politikisht. Ne u sulmuam nga një qeveri që çon në Parlament një ligj special, që me Kushtetutë, bëhet veçse në raste lufte, - e që ai ligj, shkelte gjashtë nene të Kushtetutës, e 3 pika nga marrëveshja e asociim-stabilizimit”, thotë ai.
Atë moment sipas Nerit, “deputetët që ngritën kartonin, dogjën edhe mandatet, pasi shkelën atë për të cilën janë betuar, e për më tepër, një qeveri e shumicë e majtë, që sulmon politikisht artin”.
Sipas Nerit në vijim të kësaj çështje, “mjafton të dëgjojmë kongresin e kryeministrit me çitjane në mars të 2019, te Sheshi Nënë Tereza, se çfarë masakre bëri, duke thënë se do prishim Muzeun Historik Kombëtar, Teatrin e Kukullave...ca vjetërsira..., ndërkohë që kjo e fundit është edhe godina e Parlamentit të Parë Shqiptar”.
Po si ka mundësi që kjo vjen pikërisht, nga një “artist”?
“Artist, nuk të bën diploma. Me diplomë ai është mësues vizatimi, e për më tepër i paaftë. Ai është një mësues vizatimi që vizaton me lapustilë, e jo me laps a karbon. Ai nuk është një artist! Artist të bën krijimtaria dhe ai pikturën e parë e ka shitur kur u bë Kryeministër që ja blenë servilët, për më tepër, që një artist nuk do sulmonte kurrë artistët me logjikë, për t’i asgjësuar”, thotë Liçaj.
Më tej Neritani ka bërë një rezyme të së gjithë diktaturave, ku shprehet ndër të tjerash se, “ne kemi jetuar në diktaturë, - e jo, komunizëm - ku Gëbelsi i Hitlerit, Musolini, Mao, Stalini, Enveri godisnin segmente të artit, dy-tre piktorë, shkrimtarë, letrarë apo aktorë, për t’i trembur, nënshtruar, e për t’i vënë në shërbim të tyre dhe kjo ka ndodhur.
“Ne u sulmuam për t’u asgjësuar. E prandaj, përmenda fjalimin e famshëm e Kryeministrit me çitjane që u shfazua komplet, në muajin mars, kur zhvillohej kongresi i PS-së, e kjo është të asgjësosh institucionet kombëtare të artit në Shqipëri, për të cilat shqiptarët kanë derdhur gjak për t’i pasur ato”, vijon ai.
Më tej Neri, për ta bërë më të plotë reagimin e tij se çfarë ka ndodhur me teatrin thotë se “Ministri i Kulturës asokohe, Rama, i jep urdhër Xhevdet Ferrit, të pushonte nga puna të gjithë aktorët”. “E kjo sigurisht, që nuk u pranua. Më thuaj çfarë kuptimi ka? Asgjësoi, mbylli? Po edhe një përçapje atje, ditë e natë...pa e ditur se çdo ndodhë, e kur? “...këtë do doja të thosha. U sulmuam edhe nga policia. Ky ishte një precedent i paparë në historinë e botës duke dërguar mbi 300-400 efektivë policie, kundër artistëve që është skandal...e s’ka realitet ta pranojë”.
E gjitha kjo, sipas Liçajt, për të boshatisur teatrin, që të ishte më kollaj për t’i futur rruspën. E si për mbyllje, e pyesim se çfarë do ndodhë me atë teatër, Neritan Liçaj thotë se, “atë e ka marrë në mbrojtje “Europa Nostra”, që është organizmi më i lartë europian që mbron trashëgiminë europiane, duke qenë vepra e 14-të, - pra si trashëgimi europiane, ku edhe shumë shpejt do ta financojnë restaurimin e ku edhe Rama vetë, e ka të vështirë të vijë me trupa, megjithatë çartja në këtë vend, nuk ka fund”.
“Nëse dua një teatër të ri, jam unë i pari që dua. Aty janë dhënë mbi 50 shfaqje deri tani, (që nga fillesa e problemeve) që nga Amerika, Austria...e ato, me kontribut vullnetar. Janë klikë gangsterësh lagjesh, ku gjithë problematikën e vet e projektojnë tek të tjerët, - madje edhe duke bërë ligj, ‘për kap ça të kapësh’ edhe pse është mendimtari i parë, - bashkë me ‘fiqshitësin e Bashkisë’, që shet caraca, e thotë janë fiq modern. Rasti i dytë pas diktatorit Hoxha, që s’ka bërë universitet. Lali! E ke të qartë, një kryeqytet me 1 milionë banorë, një kryebashkiak ‘Lali’. Është njësoj, sikur ‘La citta eterna’, Roma, të ketë për kryebashkiak një ‘Ualione’ (Lali). Çfarë populizmi banal, fshataresk”, thotë aktori.
Më tej me Nerin, bisedojmë gjerë e gjatë, për politikë e deri tek zgjedhjet. Ai përmend “fake-un në nivelin e mediave e votimet e 30 qershorit, ku thotë se 9000 vota u çuan me dhunë nga Bashkia. “Le të mbahen me ca faqe false”, thotë ai e madje, e krahasoi me Gëbelsin e propagandën e tij, që shkruante ‘Për Fyhrerin e Gjermaninë tonë!’. “Kurse këtu nuk njihet realiteti. Niveli real, është krejt ndryshe...”, vijon aktori.
Mediat turke kanë bërë publike video të deportimit të shtetasit turk Harun Çelik, largim që ka ngjallur debat ndërkombëtar, pasi Çelik konsiderohej si kundërshtar i presidentit turk Rexhep Taip Erdoan dhe mbështetës i Lëvizjes Feto, të Abdullah Gylen. Në videon e xhiruar nga miq të Çelik në Tiranë, duket furgoni i blinduar i policisë teksa dërgon në aeroportin e Rinasit shtetasin turk.
Merr flakë kisha e Shëlbuemi Zhejë Kurbin në natën e ndërrimit të viteve. Çatia e objektit të kultit është ndezur flakë nga kapsollat e fishekzjarret që dhe pse u ndaluan nga qeveria kudo në Shqipëri ka patur, sidomos në zonën e Kurbinit, ku të shtënat me armë e fishekzjarre kanë qenë të shumta.
Zjarret dhe temperaturat përvëluese mbi 40 gradë në pjesën më të madhe të Australisë kanë shfarosur miliona gjallesa, ndërsa të tjera janë në kërkim të ushqimit dhe burimeve ujore.
I tillë është rasti i një koale, që e dëshpëruar dhe e dehidratuar iu vërsul një grupi çiklistësh në rajonin e Uellsit Jugor për të kërkuar ujë. Anna Heusler ishte pjesë e grupit të çiklistëve. Ajo pa kafshën që kishte nuhatur ujin në bidonin e saj në biçikletë dhe nisi të shuajë etjen e koalas.
“Pashë që po ecte drejt meje me shpejtësi dhe ndalova. U ngjit menjëherë në biçikletën time për të kapur bidonin me ujë. Aty e kuptova se kishte etje. E hapa bidonin dhe i dhashë për të pirë”, deklaroi Anna për mediat australiane.
Një anëtar i grupit filmoi të gjithë skenën, ndërsa më pas dikush tjetër përpiqet që ta rikthejë koalan në pyllin nga doli.
90 për qind e koalave, njohur ndryshe si “ariu australian” jetojnë në Australi. Por, zjarret e fundit që kanë djegur mbi 25 mijë hektarë pyje kanë shkatërruar habitatin kryesor të tyre. Autoritetet besojnë se deri më tani janë shfarosur të paktën 8 mijë koala dhe numri mund të rritet në vazhdim për shkak të mungesës së ushqimit dhe burimeve ujore për të tjerat që u kanë mbijetuar flakëve.
“Problemi më i madh tani është ushqimi dhe burimet e ujit për koalat. Ato ushqehen me gjethe peme, por shumë pemë janë djegur nga zjarri dhe veç kësaj, mungesa e reshjeve të shiut ka shteruar burimet ujore të tyre”, thotë Janer Brister nga qendra “Adelaide Koala Rescue”.
Brister thotë se autoritetet janë detyruar që t’u bëjnë eutanazinë qindra koalave për shkak të djegieve të rënda të pësuara nga flakët që kanë përfshirë vendin.
Australia vuan prej disa javësh nga një valë ekstreme të nxehti, me temperatura rekord që kanë shkuar deri në 49 gradë celcius në disa rajone.
Një banesë është përfshirë nga flakët në qytetin e Pogradecit këtë të shtunë.
Pamjet e siguruara nga gazeta “Si”, tregojnë shtëllungat e tymit që dalin nga shtëpia në fjalë. Fatmirësisht nuk ka asnjë person të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Mbetet e paqartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin në këtë banesë.
Përfaqësues të Partisë Demokratike vizituan dy shkollat e fshatrave Borizanë dhe Thumanë për t’i sjellë ato si shembuj të korrupsionit dhe vjedhjes me tenderat, duke akuzuar për këtë si pushtetin qendror, ashtu edhe atë vendor.
“Tërmeti i 26 nëntorit ka nxjerrë në pah tërmetin e vjedhjes dhe korrupsionit me fondet publike nga qeveria dhe Bashkia e Krujës. Dy shkolla janë shkatërruar plotësisht në Thumanë dhe Borizanë, por dokumentet për tenderat përkatës janë zhdukur nga sistemi”, thotë PD.
Albana Vokshi, Çlirim Gjata dhe Dashamir Hidraliu, sekretari i degës së PD në Krujë, i cili humbi motrën dhe nipin në një nga pallatet e shembur në Thumanë deklaruan se pasojat e tërmetit të vjedhjes me shkollat e fëmijëve janë mbi 1 milionë euro të zhdukura.
PD akuzon se Qeveria nxitoi që të zhdukte gjurmët e vjedhjes, duke prishur me shpejtësi dy shkollat dhe bashkë me inertet e tyre ka zhdukur edhe dokumentet e tenderave. PD i kërkon prokurorisë të mos vonojë hetimin për 1 milion eurot e zhdukura, për këdo që, sipas saj ka vjedhur dhe ka vënë në rrezik jetët e mbi 700 nxënësve dhe mësuesve.
Parlamenti serb u bë arenë dhune mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës mbi reagimin e qeverisë serbe për ligjin e fesë të miratuar në Mal të Zi.
Deputetë opozitarë mbanin në duar pankarta kritikuese ndaj mungesës së përgjigjes nga ana e qeverisë serbe ndaj Malit të Zi për këtë ligj.
Ligji në fjalë kundërshtohet nga Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
Presidenti turk, Recep Taip Erdogan prezantoi këtë të premte jo pa krenari makinën e parë plotësisht “Made in Turkey”. Bëhet fjalë për realizimin e një projekti 60-vjeçar për të prodhuar plotësisht në vend një makinë turke.
Gjatë fjalës së prezantimit të makinës, Erdogan tha se Turqia nuk synon vetëm tregun vendas, por të shndërrohet në një eksportues global, duke filluar që nga Europa. Pikërisht me këtë objektiv dhe me faktin që Europa po u drejtohet gjithnjë e më shumë makinave elektrike, prodhuesit turq menduan që në prezantim të shpalosnin një model të tillë.
“Këtu jemi që të gjithë dëshmitarë të bërjes realitet të ëndrrës 60-vjeçare turke. Kur ta shohim këtë makinë nëpër rrugët e të gjithë botës, atëherë mund të themi se e kemi arritur objektivin tonë”, deklaroi Presidenti Erdogan.
Fjalimi i tij u pasua me parakalimin e një modeli “SUV” të kuq dhe një gri me logon “TOGG”, sipas konsorciumit që ka sponsorizuar këtë nismë. Erdogan u zotua se brenda vitit 2022 e gjithë Turqia do të ketë të ngritur infrastrukturën për karikimin e makinave elektrike.
Turqia është aktualisht një eksportuese e madhe e makinave në Europë, por bëhet fjalë për marka të huaja që kanë ngritur kryesisht fabrika montimi dhe prodhimi pjesësh dytësore në këtë vend, si Ford, Fiat Chrysler, Renault, Toyota dhe Hyundai.
Kompania “TOGG” thotë se prodhimi do të nisë me pesë modele të ndryshme, ndërsa Qeveria turke ka prenotuar 30 mijë automjete brenda vitit 2035.
Erdogan bëri për herë të parë publik planin për të ndërtuar një makinë plotësisht “Made in Turkey” në vitin 2017. Afati i vendosur ishte viti 2021, por konsorciumi i kompanive më të mëdha turke e realizoi këtë dy vite para afatit.
Konsorciumi i quajtur “Turkey Automobile Initiative Group” (TOGG) u themelua në 2018 nga pesë grupet më të mëdha industriale turke, si Anadolu Group, BMC, Kok Group, Turkcell dhe Zorlu Holding.
Drejtori ekzekutiv është ish-kreu ekzektiv i Bosch, Gurcan Karakas dhe shefi operacional Sergio Rocha, që më parë ka mbajtur postin e drejtorit ekzekutiv të General Motors Korea. Synimi është që brenda 13 viteve të prodhohen 175 mijë makina, me një kosto që shkon në rreth 3.7 miliardë dollarë.
Bateritë e vogla të lodrave mund të vrasi fëmijët nëse i gëlltitin, paralajmërojnë mjekët në Shërbimin Kombëtar të Shëndetit në Londër.
Stephen Powis, një mjek bën thirrje prindërve që të jenë vigjilentë në prag festash dhe të shmangnin lodrat që kanë bateri të vogla. Ato gjenden kudo, në dritat e festave, lodrat e ndryshme, telekomandat e të tjerë. Këto bateri janë sa një monedhë dhe mund të kalojnë kollaj në fyt, e më pas të shkaktojnë hemorragji të brendshme dhe më pas vdekjen në më pak se dy orë.
Takimet me banorët e Thumanës të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit e kanë bindur akoma më fort Lulzim Bashën se vendi ndodhet në një krizë të thellë të gjithanëshme, që si zgjidhje të vetme, sipas tij, ka largimin e Edi Ramës.
Kreu i PD-së përcolli këto fjalë përmes video-mesazhit nga makina e tij, që tha se ishte në kthim nga Thumana.
“Vendi është në një krizë të thellë humanitare, ekonomike, sociale, politike dhe kushtetuese. Rruga për ta zgjidhur këtë krizë duhet të nisë me përpjekjet e të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake, për të patur një qeveri të përgjegjshme. Një qeveri e cila ndihmon në kapërcimin e pasojave të tërmetit dhe bën gati të gjitha masat dhe të gjitha instrumentet për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të goditur kaq rëndë dhe për të ndalur rrokullisjen e ekonomisë kombëtare, në një greminë edhe më të thellë. Nga zgjidhja e krizës politike, kalon edhe zgjidhja e krizës ekonomike, kalon edhe shpëtimi i dhjetëra mijëra familjeve të cilat ndodhen si asnjëherë në mëshirën e fatit”, deklaroi kreu i PD.
Ai paralajmëron se mbi rrënojat e tërmetit, Qeveria po përgatit të tjera afera korruptive.
“Jemi në një krizë humanitare, me përmasa të plota, e cila vetëm sa do të thellohet, sepse shteti nuk po vepron. Qeveria dhe kryeministri e kanë mendjen tek parada mediatike, propaganda dhe po bëjnë gati të ngrenë mbi rrënojat e tërmetit një tjetër megaaferë korruptive, vjedhje, zhvatje dhe grabitje. Kjo është sot emergjenca e vërtetë kombëtare e vendit”, thotë ai.
Basha thotë se po kthehej nga një takim ku për dy orë ishte takuar me shumë familje, që janë në gjendje të mjerueshme dhe të harruar krejtësisht nga shtetit.
“Pas një zallamahie propagande ata janë krejtësisht të harruar, të braktisur, ndërkohë që ftohja e motit dhe shirat i kanë nxjerrë jashtë përdorimit çadrat prej plastmasi, apo çadrat verore me të cilat janë pajisur një pjesë prej tyre”, vijon ai.
Panorama e paraqitur nga Basha është më shumë se e zymtë.
“Dëshpërimi mbretëron kudo, varfëria është thelluar dhe tashmë ka nisur një pasojë tjetër e tmerrshme e kësaj krize humanitare. Ka shumë fëmijë të sëmurë, ka shumë të moshuar në nevojë për kujdes mjekësor për të cilët kanë nevojë por të cilët e kanë plotësishtë të pamundur të marrin çdo shërbim aty ku janë apo të zhvendosen drejt spitaleve të Krujës, Tiranës apo të Laçit”, thotë ai.
Basha thotë se kjo është gjendja e harresës dhe e braktisjes totale të shtetit prej kartoni, e shtetit të babëzisë dhe korrupsionit që është rrëzuar kohë para se tërmeti të rrëzonte shtëpitë e banorëve të Thumanës, Durrësit, Kurbinit dhe zonave të tjera të goditura rëndë.
Një piton pa përvojë e pa veten nga predator në pre në një duel të trefishtë me një grup çakejsh dhe një vjedulle.
Video është filmuar në Chobe Park të Botsvanës në muajin nëntor nga Roselyne Kerjosse, 60 vjeç, që ato ditë ishte pjesë e një grupi turistësh që po vizitonin botën e egër afrikane.
60-vjeçarja thotë në përshkrimin e videos së publikuar në rrjetet sociale, se në fillim ishte pitoni ai që sulmoi vjedullën të cilën e kishte rrethuar me trupin e tij dhe po e mbyste ngadalë.
“Fatmirësisht për vjedullën një grup çakejsh u përfshinë në aksion. Njëri prej tyre u përpoq të përfitonte duke sulmuar vjedullën. Sulmi i tij shpërqëndroi pitonin që ngadalë lëshoi prenë”, thotë ajo.
Nga pamjet e publikuara ky ishte edhe gabimi i pitonit, që nga predator e shndërroi në viktimë. Vjedulla dhe çakejtë iu vërsulën dhe pamjet mbyllen me gjarpërin që nuk tregon më shenja jete, duke përfunduar në vakt i ndarë përgjysmë për vjedullën dhe çakejtë.
Videoja e një qeni besnik që drejton zjarrfikësit në drejtim të shtëpisë në flakë të të zotit është përhapur me shpejtësi në internet.
Bëhet fjalë për pamje të regjistruar në vitin 2010 në një zonë të Alaskës, por akti i qenit besnik ka tërhequr vëmendjen e përdoruesve në rrjetet sociale, sidomos në Tëitter.
Në këto pamje të publikuara, qeni shquhet para makinës së zjarrfikëses duke i orientuar ata nëpër rrugët dredharake të mbuluara nga dëbora në Alaskë, drejt e tek banesa e të zotit. Fatmirësisht, nga flakët pronari i qenit pësoi vetëm djegie të lehta.
Në dëshminë që dha më pas, ai deklaronte atëherë se kjo ishte edhe falë qenit të tij, që doli menjëherë të kërkojë ndihmë.
Partia Demokratike thotë se qeveria e Edi Ramës ka dështuar totalisht t’u japë strehë mijëra njerëzve, banesat e të cilëve janë dëmtuar rëndë nga tërmeti.
Në këtë rezultat, opozita mbërrin pas dëshmive që thotë se janë mbledhur prej përfaqësuesve të saj, Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe Xhemal Gjunkshi në zonën e Sukthit dhe të Ishmit, ku rezulton se banorët e fshatit janë më të braktisurit.
“Askush nuk ka ardhur të na shohë” është përgjigja që jep secili prej tyre, kur pyeten se çfare ndihme u ka dhënë qeveria apo pushteti lokal. Më e keqja është se shtëpitë e pabanueshme dhe të rrezikshme nuk kanë asnjë vlerësim nga autoritetet. Dëshmitë e banorëve te Sukthit dhe të Ishmit provojnë paaftësinë e qeverisë për të menaxhuar situatën, kur po bëhet një muaj nga tërmeti i 26 nëntorit”, thotë PD.
Dhjetëra protestues janë mbledhur sërish sot në Tiranë kundër pjesëmarrjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç në samitin e Minishengenit.
Ndërkohë që pritet të nisë takimi kokë më kokë, mes kryeministrit Zoran Zaev,presidentit malazez Milo Gjukanovic , Vuçiç dhe Ramës, protestuesit e Lëvizjes Vëtëvendosje dhe anëtarë të shoqërisë civile u mblodhëmn me pankarta duke kërkuar largimin e presidentit serb nga Tirana.
“Kosova, zemra e Shqipërisë”, “Rama ik”, “Turp, turp”, “Edvin tradhtar”, janë disa nga thirrjet e protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë.
Protestat janë ndezur edhe më shumë nga deklaratat e Vuçiç, i cili ka mohuar masakrën e Reçakut duke thënë se disa nga viktimat aty ishin pjesëtar të UÇK-së. Presidenti serb e ka quajtur masakrën e Reçakut, të njohura nga gjithë bota ‘krim të fabrikuar’.
Juventusi fitoi 1-2 ndaj Sampdorias dhe tani është shkëputur 3 pikë nga Interi, por me një ndeshje më shumë se zikaltrit. Ishte një fitore e vështirë për kampionët në fuqi të Italisë, e vulosur nga golat e Paulo Dibalës dhe Kristiano Ronaldos.
Ishte pikërisht goli i portugezit që mori gjithë vëmendjen për mënyrën e ekzekutimit. Një kërcim prej 71 centimetrash nga toka dhe një goditje me kokë në lartësinë 2.56 metra për të çuar në rrjetë topin e krosuar nga Aleks Sandro. Edhe më surprizuese ishte koha e qëndrimit në ajër e portugezit, 1.5 sekonda. Një veprim ateltik i jashtëzakonshëm nga kampioni i Juventusit, një ekzekutim që ka bërë xhiron e botës në pak minuta. Komentet dhe reagimet kanë qenë të shumta dhe nga më të ndryshmet.
Nuk mund të qëndronte pa thënë fjalën e saj motra e CR7, Katia Aveiro, mjaft entuziaste për atë gol të vallait të saj. Në rrjetet sociale ajo ka bërë një batutë, duke cituar Supermenin. “Është një zog? Është një avion? Jo, është Kristiano që kërcen mbi gjithë mbrojtësit për të mposhtur Sampdorian! Impresionuese!” – shkruan Katia në Instagram. Ajo është gjithmonë aktive në rrjetet sociale dhe gjithmonë është e para që mbron vallanë sa herë që ka kritika për të.