Meta çon Kodin Zgjedhor në Venecia
Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të miratuara nga mazhoranca në seancën e 5 tetorit, me arsyetimin se shkelin Kushtetutën dhe bien ndesh me rekomandimet e Këshillit Europian të 25 marsit të këtij viti.
Presidenti thotë gjithashtu se i është drejtuar edhe Komisionit të Venecias për një opinion mbi këto ndryshime.
“Këto ndryshime të shpejta, të padialoguara dhe të padakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, ashtu si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane; në mungesë të Gjykatës Kushtetuese funksionale; dhe në respektim të kërkesës zyrtare që më është paraqitur nga Kryetari i Opozitës së Bashkuar për marrjen e një opinioni pranë Komisionit të Venecias, si President i Republikës, në datën 21 tetor 2020, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisionit të Venecias) për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces”, thuhet në arsyetimin e Presidencës.
Presidenti vëren se:
Këto ndryshime të rregullave zgjedhore, cenojnë parimet domokratike ndërkombëtare të realizimit të një procesit zgjedhor përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme;
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë realizuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensus gjithëpërfshirës dhe bien ndesh me frymën kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në datë 25 Mars 2020 dhe plotësimin e 15-kushteve përpara zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare;
Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor dëmtojnë rëndë klimën e bashkëpunimit midis forcave politike në vend, duke zeruar praktikisht besimin reciprok midis tyre;
Këto ndryshime të njëanshme në Kodin Zgjedhor janë në kundërshtim flagrant me parimet dhe standardet evropiane të vendosura nga Komisioni i Venecias në Kodin e Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore, si udhërrëfyesi i vetëm për vendet e Këshillit të Europës për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme;
Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor krijojnë një pozitë të pabarabartë, diskriminuese, duke rënë ndesh si me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut;
Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 Tetor, për shkak të pozitave diskriminuese që ato përmbajnë krijojnë një terren shumë polarizues në vend. Kjo pozitë rëndohet edhe më shumë para faktit që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, çdo kundërshtim i këtyre dispozitave lidhur me antikushtetutshmërinë e tyre nuk mund të marrë së shpejti një përgjigje përfundimtare;
Ndryshimet e njëanshme cenojnë kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian, çka do të përkthehet me një tjetër vendim negativ për Shqipërinë, duke cenuar drejtpërdrejt ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit.
Meta e vlerëson kthimin për rishqyrtim në Kuvend jo si sfidë, por si ftesë për reflektim drejtuar mazhorancës, ndërsa vonesën e dekretit të rikthimit e ka argumentuar me faktin se arsyetimet janë shkencore dhe në të janë përfshirë edhe ekspertë të huaj.
“Presidenti e ka motivuar në mënyrë të qartë, është bërë një punim shkencor nga ekspertët e Presidentit dhe ekspertë ndërkombëtarë që kanë bashkëpunuar për të gjitha standardet që shkel ky ndryshim i njëanshëm i Kodit. Shpresoj që ata të lexojnë të thellohen dhe reflektojnë. Presidenti është në një gjatësi vale me popullin shqiptar”, deklaroi Meta nga qyteti i Korçës, fill pasi në faqen zyrtare të Presidencës u publikua dekreti që kthen Kodin Zgjedhor edhe njëherë në Kuvend.