E bukur dhe e rrezikshme! Kur llava “përqafon” detin në La Palma
Ajo që shkencëtarët i druheshin ndodhi. Llava e vullkanit që shpëërtheu më 19 shtator në ishullin La Palma “përqafoi” Atlantikun.
Eventi ndodhi mbrëmjen e së martës dhe shkencëtarët paralajmërojnë për një efekt zinxhir reaksionesh dhe bëjnë apel për banorët e mbetur në ishullin La Palma dhe të tjerë në grupin e ishujve Kanarie që të tregojnë kujdes dhe të mos i afrohen vullkanit dhe sidomos zonës ku llava po derdhet në det.
Sipas shkencëtarëve, llava e nxehtë me mijëra gradë celcius kur bie në kontakt me ujërat e ftohta të Atlantikut shkakton një reaksion që çliron në atmosferë gazra toksikë, në gjendje që të irritojnë sytë, mushkëritë e lëkurën dhe nëse ekspozimi ndaj këtyre gazrave është për një kohë të gjatë mund të shkaktohet edhe vdekja.
Kontakti i llavës me ujërat e kripura të oqeanve shkarkon në atmosferë mes të tjerash edhe acid hidroklorik dhe avuj të nxehtë toksikë.