⁣Vota e emigrantëve nuk lidhet me adresat, Majko: Sistem sipas modelit të Kosovës

10 Shikime
Gazeta Si
0
Published on 21 Dec 2020 / In Lajme

Deklarimi i adresave nga ana e shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit është një proces që nuk ka lidhje me procesin e votimit të tyre. Deklarata u bë nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.

“Ngatërrohet regjistrimi i adresave të shtetasve jashtë vendit me listën e votuesve jashtë vendit dhe krijohet ndonjëherë ideja se po s’u bë regjistrimi i adresave nuk mund të ketë aplikim të së drejtës së votës. Nuk është e vërtetë! Sistemi që do të krijohet pranë KQZ-së, sipas modelit të Kosovës, është në aplikim për shtetasit jashtë vendit, të cilët aplikojnë me pasaportë dhe kartë identiteti dhe kjo krijon listën e votuesve. Nuk e krijon adresari listën e votuesve”, deklaroi Majko.

Ministri i Shtetit për Diasporën tha se procesi i votimit për emigrantët është një vendimmarrje ekskluzive e KQZ-së.

Ministri foli në Nënkomisionin Parlamentar për Diasporën, një strukturë në varësi të Komisionit për Politikën e Jashtme në Parlament. Ai ceku edhe çështjen e pensioneve të emigrantëve. Majko tha se pandemia ka vështirësuar punën dhe bisedimet me shtete të ndryshme për t’u njohur siguracionet emigrantëve shqiptarë, por tha se progres është bërë me Italinë.

“Nga përfaqësuesit dhe komunikimi që kemi me përgjegjësit shtetërorë italianë na është thënë që çështja e buxhetit është zgjidhur dhe tani çështja e marrëveshjes për pensionet janë vetëm negociatat”, deklaroi Majko.

Më shumë
0 Komente sort Sort By