Viktimat do të njoftohen kur agresori i tyre lirohet nga burgu

35 Shikime· 06/22/20
Gazeta Si
Gazeta Si
1 Subscribers
1
In Lajme

Policia e Shtetit do të njoftojë viktimat, apo familjarët e tyre në rastet kur personi që ka kryer një vepër penale ndaj tyre përfundon dënimin për këtë vepër. Propozimi në projektligjin për ekzekutimin e vendimeve penale është bërë nga deputetja socialiste, Vasilika Hysi.

Në propozimin fillestar, Hysi kërkoi që detyrimi për të njoftuar viktimat t’u caktohej burgjeve, për të adresuar, sipas saj, shqetësimin e shoqërisë civile se sidomos në rastet e viktimave të dhunës në familje, ato nuk njoftohen dhe ekspozohen sërish ndaj dhunës.

“Për të shtuar në këtë nen, detyrimin që ka institucioni ku ndodhet i dënuari, që të njoftojë viktimën, ose familjarët e saj për lirimin e të dënuarit. Na ka lindur një problem kur dhunuesi ka mbaruar vuajtjen e dënimit, është liruar para kohe me kusht, ose ka përfituar nga uljet e dënimit. Besoj se institucioni duhet të informojë viktimën, ose familjarët”, tha deputetja Hysi.

Propozimi i Hysit u kundërshtua nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, që tha se kjo detyrë shkon përtej kompetencave të institucioneve. Në vend të kësaj, Gjonaj propozoi që kjo të realizohej përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi mes institucionit të Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë dhe të policisë.

Skeptik ndaj kësaj nisme u shfaq edhe deputeti Alket Hyseni, ndërsa vetë kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja e vlerësoi të tepërt përcaktimin me detyrim në ligj të njoftimit të viktimës nga ana e institucioneve të burgjeve. Ai tha se siguria dhe garantimi i jetës së shtetasve është detyrë e përditshme e policisë.

Por, Vasilika Hysi këmbënguli se njoftimi i viktimës për kategori të caktuara të veprave penale është një detyrim që buron edhe nga procesi i përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian.

“Në fakt, direktiva 29 e vitit 2012 e Komisionit Europian e kërkon një gjë të tillë. Nëse nuk ka qenë deri më sot, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të jetë. Besoj që viktima ka të drejtë të njihet, jemi ndodhur në situatën kur janë liruar persona dhe viktima nuk ka marrë informacion. Se kush duhet ta njoftojë e vendosin institucionet”, tha Hys.

Në përfundim të debatit në Këshillin e Ligjeve u ra dakord parimisht që detyrimi për njoftimin e viktimave, sipas rasteve, t’i kalohet Policisë së Shtetit, që njoftohet menjëherë nga institucioni i burgjeve së bashku me prokurorinë.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By