Nga burgu në shtëpi, Covid-19 liron 300 të burgosur
300 të burgosur të dënuar për vepra të lehta do të lirohen për t’u ngujuar në shtëpitë e tyre për 3 muajt e ardhshëm.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj bëri publike detajet e aktit normativ të ndërmarrë nga Qeveria ditën e hënë. Gjonaj tha se aktualisht nuk ka asnjë të prekur nga CoVid-19 në sistemin e burgjeve, si punonjës, ashtu edhe të dënuar, ndërsa tha se kategoria e personave që do të lirohen janë përzgjedhur të dënuarit që vuajnë nga një shqetësim shëndetësor tjetër.
“Deri më tani nuk ka asnjë rast dhe masat e marra kanë funksionuar. Qeveria mori një masë të rëndësishme dhe të arsyeshme në këtë drejtim. Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë Qeveria mori një akti normativ për të karantinuar në shtëpitë e tyre të gjithë ata persona të dënuar me vendim të formës së prerë, që në datën e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ u ka mbetur pa kryer deri në 3 vjet burgim dhe të gjithë ata persona të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, pra sot, u ka mbetur për të vuajtur deri në 5 vjet burgim, por që duhet të jenë 60 ose më shumë vjeç dhe që vuajnë nga një sëmundje kronike që i bën vulnerabël nga virusi CoVid-19”, tha Gjonaj.
Ministrja e Drejtësisë shtoi se nga ky rregull përjashtohen personat e dënuar për një vepër penale të rëndë dhe ata që kategorizohen si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore.