⁣TVSh e ushqimeve, shporta bosh e premtimeve

8 Shikime
Gazeta Si
0
Published on 10 Feb 2021 / In Lajme

Palët politike rivale të udhëhequra nga Edi Rama majtas dhe Lulzim Basha djathtas janë përshirë në një debat të ethshëm për çështjen e taksave, duke u paraqitur qytetarëve avantazhet e propozimeve të tyre, i pari me taksën progresive dhe i dyti me taksën e sheshtë 9 për qind.

Por, në të gjithë këtë debat të dyja palët po i qëndrojnë larg debatit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për ushqimet bazë të shportës së konsumit të një familjeje. Shqipëria është ndër të paktat vende në Europë që nuk diferencon nga TVSH 20 për qind ushqimet e shportës dhe premtimi për heqjen e këtyre produkteve nga kjo skemë është bërë gjithmonë në opozitë e “harruar” në pushtet.

Një premtim për heqjen e TVSh-së për produktet e shportës është bërë në 2011 nga Edi Rama. Përmes rrjeteve sociale, Rama ilustronte me shembuj se sa do të kursenin familjet nga heqja e TVSh-së për ushqimet e shportës.

“Lejomëni të ndaj me ju një ilustrim të thjeshtë grafik të propozimit tonë për heqjen e taksave të Saliut mbi bukën, qumështin, vezët, ilaçet, duke ju thënë të gjithë atyre që thonë ku e keni programin se ja, kjo është një copëz e programit që prej më shumë se një muaji e kemi shtruar publikisht, por pakkush ndër komentatorët e ka rrokur në brendinë e vet”, sqaronte ai tabelën e çmimeve ilustruese të mësipërme.

Në dhjetor të 2011, socialistët në atë kohë në opozitë dorëzuan në Kuvend një propozim konkret për të hequr TVSh për produktet e shportës duke deklaruar në relacionin shoqërues të nismës se kjo do të ulte çmimet dhe do të ndihmonte shtresën në nevojë. Propozimi ishte pothuajse identik me premtimin elektoral të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2005-ës.

Por, propozimi u rrëzua nga mazhoranca PD-LSI. Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha deklaronte se TVSh 20 për qind për produktet e shportës mbronte prodhimin vendas dhe se me heqjen e saj tregu do të dyndej nga produktet e importit. Megjithatë, Rama nuk hoqi dorë dhe në 2013 premtimin e përfshiu te platforma qeverisëse të Partisë Socialiste.

Verën e 2015-ës flamurin e këtij premtimi e ngrinte Lulzim Basha.

“Një nga zgjidhjet që duhet të japim është të heqim TVSH-në për miellin, për bukën, për sheqerin, për vajin, për orizin. Të paktën për këto mallra. T’ua bëjmë bukën qytetarëve që ta blejnë 20 për qind më pak se sa çmimi i tregut sot”, deklaronte Basha.

Thuajse gjashtë vite më vonë, ai vjen me propozimin e taksës së sheshtë 9 për qind, ndërsa për zerimin e TVSH-së së shportës, pra ushqimeve bazë të qytetarëve, as ai dhe as Edi Rama nuk flasin më.

TVSh në Shqipëri është në nivelin 20 për qind me një nivel të reduktuar prej 6 për qind, ku nuk bëjnë pjesë ushqimet e shportës. Niveli i reduktuar prej 6 për qind aplikohet prej 2017-ës në sektorin e turizmit dhe agro-turizmit dhe të librave, ndërsa të përjashtuara nga kjo skemë janë eksportet, shërbimet shëndetësore, importi i inputeve dhe makinerive bujqësore etj.

Në rajon, Maqedonia e Veriut aplikon prej 1 janarit të këtij viti një TVSh standarde prej 10 për qind për të gjitha kategoritë që lidhen me furnizimin dhe shitjen e ushqimeve dhe pijeve, ndërsa para këtij ndryshimi aplikonte një taksë me dy nivele, 18 dhe 5 për qind. 18 për qind ishte TVSh në rastet e konsumit të ushqimit në vendin e furnizimit (baret, restorantet, fast food-et, shërbimi “Merre me vete”, etj), ndërsa 5 për qind për miellin, bukën, orizin, vajin, kripën në rastet kur bliheshin në dyqane.

Kosova aplikon një TVSH standarde prej 18 për qind dhe një normë të reduktuar prej 8 për qind për ujin (me përjashtim të ujit të ambalazhuar në shishe), furnizimin me energji elektrike, përfshirë transmetimin dhe shpërndarjen, drithërat dhe nënproduktet e tyre, si mielli, buka dhe produkte të ngjashme, vajin për gatim, kripën, vezën dhe librat.

Me TVSH të reduktuar 8 për qind janë edhe furnizimet mjekësore, farmaceutike dhe shërbimet e ofruara nga industria e turizmit, për këtë të fundit me afat deri më 31 dhjetor të 2021 si nismë e qeverisë për të ndihmuar këtë industri.

Serbia aplikon një TVSh standarde prej 20 për qind, por aplikon nivelin e reduktuar prej 8 për qind për ushqimet bazë, ujin, gazetat, ilaçet, kompjuterat, etj.

Në Greqi, TVSh standarde është 23 për qind, por aplikon dy norma të reduktuara. 13 për qind për ushqimet dhe pijet, ilaçet, transportin dhe 6.5 për qind për hotelet, librat për fëmijë, gazetat dhe të tjera shërbime që klasifikohen si bazike.

Bosnje Herzegovina nuk ka asnjë përjashtim nga skema e TVSh-së standarde që e ka të vendosur në nivelin 17 për qind.

Më shumë
0 Komente sort Sort By