Up next

Thaçi: Dorëhiqem nëse merrem i pandehur! Do të dal i pafajshëm si Haradinaj

22 Shikime· 06/29/20
Gazeta Si
Gazeta Si
1 Subscribers
1
In Lajme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cilësoi fabrikime akuzat e hedhura ndaj tij nga Gjykata Speciale dhe është i bindur në pafajësinë e tij dhe ashtu si Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e të tjerë bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalë i pafajshëm nga akuzat për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe tortura.

“Bashkëluftëtarët e mi, me disa prej të cilëve paqja na ka ndarë shpesh në taborë të ndryshëm politikë, i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës shumë fabrikime të ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze. Njëjtë do të jetë edhe me mua dhe me vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli”, deklaroi Thaçi.

Presidenti i Kosovës iu adresua për herë të parë qytetarëve dhe jo vetëm atyre. Ai kërkoi unitet mbarëkombëtar përballë kësaj situate, ndërsa tha se në ditët në vazhdim do të konsultohet me udhëheqësit politikë të Kosovës. Ai garantoi se nëse akuzat zyrtarizohen nga gjykata dhe ai merret i pandehur do të japë dorëheqjen dhe në procesin gjyqësor nuk do të dalë si President i Kosovës.

“Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, u shpreh ai.

Në video-mesazh ai hodhi poshtë akuzat e prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë, që e akuzuan se së bashku me Kadri Veselin janë përpjekur të sabotojnë punën e tyre.

“Sot, kush thotë se qenkam bërë pengesë, madje edhe sabotues i kësaj gjykate, në rastin më të mirë është i keqinformuar dhe në rastin më të keq është tendencioz”, u shpreh ai.

Thaçi foli për standarde të dyfishta nga ana e drejtësisë ndërkombëtare sa u takon krimeve të luftës në Kosovë.

“Por, nga ana tjetër, dikush duhet ta bëjë bilancin e këtyre 21 viteve hetime, procese dhe gjykime për krimet e luftës në Kosovë. Unë do të isha njeriu më i lumtur nëse do të shihja se bashkësia ndërkombëtare aplikon standarde të njëjta mes Kosovës e Serbisë në adresimin e krimeve të luftës. Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk e shoh këtë standard e proporcionalitet, por shoh të kundërtën e tij. Serbia ecën në rrugën e negocimeve për anëtarësim evropian, ndërsa Kosova nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë!”, vijoi ai.

Presidenti thotë se nuk e sheh këtë si formë komploti ndaj Kosovës, por qasja e ndryshe e ndërkombëtarëve është lehtësisht e dallueshme. Ai tha se gabimet që ka bërë lidhen vetëm me aktivitetin si politikan dhe jo si luftëtar i UÇK-së.

“Por asnjë faj a gabim i yni apo i imi, nuk e justifikon faktin që Kosova qe 21 vjet vazhdon me proceset e ballafaqimit me krime lufte në hapësirën e saj, e në anën tjetër në Serbi ka rënë heshtja e varrit për krimet e luftës. Këtë heshtje të Serbisë e bën edhe më të rëndë heshtja e bashkësisë ndërkombëtare”, vijoi Thaçi.

Presidenti i Kosovës i qëndron bindjes për dialog dhe paqe me Serbinë, pavarësisht akuzave dhe këmbëngul se të vetmet ligje që ka shkelur kanë qenë ligjet e Sllobodan Millosheviçit.

“Nuk pajtohem as nuk e pranoj dot faktin që për mijëra shqiptarë të zhdukur nga makineria vrastare e Sllobodan Millosheviçit, eshtrat e të cilëve janë në dheun e Serbisë, të mos ketë as deklarata të ndërkombëtarëve. A mos vallë duhet të presim edhe ditën kur të na thuhet se duhet t'i kërkojmë falje Serbisë për të zhdukurit tanë, për nënat e motrat tona ta përdhunuara, për spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër nesh?! Kjo pyetje absurde lind natyrshëm pasi askujt në Serbi më nuk i kërkohet llogari për krimet e luftës!”, shtoi Presidenti.

Thaçi tha se politikës iu fut me drojë dhe e sfiliti më shumë sesa lufta për liri. Por, nënkuptoi se nuk do të heqë dorë prej saj, as nga posti i Presidentit, pavarësisht akuzave me të cilat përballet.

“Sot nuk dua të rendis të arriturat e karrierës sime, sepse ky nuk është as një mesazh lamtumire, as një moment bilanci pune për mua. Dua vetëm t'ju them se kam mbajtur mbi kurriz shumë akuza dhe shumë ofendime gjatë tërë këtyre viteve. Por, një gjë është e sigurt: nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë qoftë edhe një provë të vetme në adresën e Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji. Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviçit”, u shpreh ai.

Presidenti i Kosovës thotë se politikën nuk e ka parë asnjëherë si burim jetese, por si mision për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve. Me akt-akuzën e publikuar nga Gjykata Speciale e pranon se Kosova po hyn në një kapitull të ri vështirësish të panjohura, edhe për vetë atë.

“Kjo nuk është asgjë e re, pasi historia jonë ka pasur shumë periudha të vështira. Ky është një kapitull i ri edhe për mua dhe në këto momente ende nuk e di se sa i vështirë do të jetë. Por, unë jam gati ta shkruaj këtë kapitull me të vërtetën time përballë kujtdo qoftë”, thotë ai.

Thaçi nuk është i sigurtë nëse publikimi i akt-akuzës së tij gjatë në momentin që po udhëtonte në drejtim të Uashingtonit për t’u takuar me Vuçiçin në Shtëpinë e Bardhë në dialogun e ndërmjetësuar nga SHBA është rastësi, apo intrigë ndërkombëtare.

“Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar. A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës? Rrugën ma prenë. Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës”, thotë ai.

Publikimin e akt-akuzës, Thaçi e konsideroi si skandal ndërkombëtar.

“Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh. Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik. Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë”, u shpreh ai.

Presidenti i Kosovës nënkupton se ka një dorë që i ka interesuar ngutja për të publikuar akt-akuzën ndaj tij, por thotë se kjo do të shtjellohet në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, ndërsa shton se njoftimi i Gjykatës Speciale hodhi në erë mundësinë e një marrëveshjeje historike në Shtëpinë e Bardhë.

“Ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi. Prandaj apeli me të cilin dua ta mbyll ketë mesazh sonte është: Kosova duhet të sigurojë funksionimin stabël të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë”, u shpreh ai.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By


Up next