Suivant

Shengeni Ballkanik, Rama ndihet i tradhtuar nga Kosova

16 Vues· 11/10/19
Gazeta Si
Gazeta Si
Les abonnés
0

Krijimi i zonës së lirë ekonomike në Ballkanin Perëndimor ka nisur të prodhojë përçarjen e shqiptarëve. Në Tiranë, nisma e Ramës me Vuçic dhe Zaev ka hasur në një rezistencë minimale, por në Prishtinë klasa politike është shprehur thuajse njëzëri kundër.

Dukshëm duke marrë shkas nga qëndrimet dhe reagimet kundër që mbërritën nga Kosova, në fjalën e mbajtur në përfundim të samitit të Ohrit, mesazhi i Kryeministri Edi Rama adresohej për në Prishtinë. Rama qortoi udhëheqësit kosovarë se rruga e vetëpërjashtimit dhe e vetë izolimit nuk sjell dobishmëri. Kundër nismës ishte edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Rama nuk e përmendi në emër, por mes rreshtave e replikoi me të për qëndrime të dyfishta.

“Do të më lejoni që të mos i shmangem elefantit që është këtu në dhomë, që lidhet me Kosovën. Me të gjithë ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë, apo nuk duan ta kuptojnë, këtu është momenti për të thënë se së pari në kujtesën time jemi takuar dhe dakordësuar për gjithçka që shkruhet e zeza mbi të bardhë, tani jo si dokument, por si plan në këtë nismë mes liderësh të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje, Londër, Poznan, Berlin, Vjenë, Durrës, Shkup. Me sa unë kujtoj nuk më rezulton se në të gjithë këto takime, Serbia apo Bosnja e kishin njohur Kosovën, por kjo nuk e ka penguar as Presidentin dhe as kryeministrat që të marrin pjesë dhe të flasin në emër të Kosovës si të barabartë me të tjerët”, tha ai.

Kritikët akuzojnë se pas kësaj nisme qëndron ambicia e Serbisë për të rindërtuar Jugosllavinë. Rama i cilësoi si qesharake dhe me të njëjtën fjali iu përgjigj edhe kritikave që në Serbi i adresohen Presidentit Vuçiç, që akuzohet se me anë të kësaj nisme po ngre Shqipërinë e Madhe.

“Nuk ka mundësi që unë të jem edhe minijugosllav, edhe shqiptaro-madh. Unë jam thjesht një qytetar europian dhe nuk po bëj asgjë përveçse po marr pjesë në një proces që e kam kërkuar vetë prej vitesh”, tha Kryeministri.

Rama kërkoi që të mos sulmohej qeveria dhe politika e Tiranës, pasi sipas tij, kjo nuk i sjell asgjë të mirë Kosovës, ndërsa në konferencën e shkurtër për shtyp me gazetarët shqiptarë që e shoqëronin në Ohër shprehu më shumë habinë me qëndrimin e kreut të LDK-së, Isa Mustafa i cili iu bashkua qëndrimeve që paralajmërojnë rrezikun e krijimit të Jugosllavisë së re.

“Kam respekt për Isa Mustafën, por jam i befasuar nga deklarata e tij. Të flasësh për këtë proces si një proces që rikrijon Jugosllavinë dhe të ma thuash mua këtë që as kam punuar në administratën e Jugosllavisë,më duket e tepërt dhe jo fort elegante”, deklaroi ai.

Rama e cilësoi paradoks refuzimin e Kosovës dhe kujtoi faktin se deri para ca vitesh, ideja e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në rajonin e Ballkanit kundërshtohej fort nga Serbia dhe vetë BE.

“Serbia e ka refuzuar gjithnjë sepse e ka parë si një kërcënim të shqiptarëve, sot kur Serbia lëshon në këtë drejtim, sepse sheh me interes që të përfitojë nga aspektet ekonomike, ne kundërvihemi?!”, vijoi Rama.

Kryeministri shpreson se me ngritjen e Qeverisë së re në Prishtinë, ku Kryeministër është projektuar Albin Kurti, do të ndryshojë edhe mendimi për “Shengenin Ballkanik” dhe Kosova do të marrë pjesë që në takimin e radhës më 21 dhjetor të përcaktuar në Durrës.

“Kam dëgjuar nga Albin Kurti që tha se është mirë qëKosova të jetë në të gjitha tryezat.Por unë nuk marr përsipër të bëj më të madhin dhe të bind liderët e Kosovës. Janë ata që vendosin dhe unë i respektoj vendimet e tyre edhe kur nuk i mirëkuptoj”, u shpreh Rama.

Në takimin e thirrur për në Durrës pritet që të jetë i pranishëm edhe Përfaqësuesi i ri i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josef Borrell. Rama konfirmoi pjesëmarrjen e tij dhe përsëriti se ftesa do të mbërrijë edhe në Prishtinë për pjesëmarrje.

21 dhjetori nuk është larg dhe përtej asaj se çfarë do të arrihet në kuadër të nismës për Shengenin Ballkanik, me interes të madh do të pritet nëse Kosova do të përfaqësohet, apo krisja Tiranë-Prishtinë, e nisur që në takimin e parë të Novi Sadit dhe e thelluar në takimin e Ohrit e rezultojë një ndarje pa kushte rreth këtij projekti.

Montre plus

 0 commentaires sort   Trier par


Suivant