PD paralajmëron rikthimin tek protestat

7 Shikime· 10 Jan 2020
Gazeta Si
Gazeta Si
5 subscribers
0
In Lajme

A do t’u rikthehet Partia Demokratike dhe aleatët e saj protestave për të kërkuar largimin e Edi Ramës? Kjo është pyetja që po i adresohet gjithnjë e më shumë zyrtarëve të opozitës dhe ai që paralajmëroi se protestat nuk do të jenë larg është Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi.

“Çdo mjet demokratik që sjell largimin e kësaj qeverie, përfshirë protestat popullore është mundësi reale për ditët në vijim. Nuk ka një datë konkrete për protestë. Kur të ketë një datë konkrete, ne do ta bëjmë publike. Është një vendim që merret nga Kryesia e partisë. Por, unë ju garantoj, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, që është një mjet demokratik, i cili nuk përjashtohet të aplikohet në ditët e ardhshme”, deklaroi Bardhi pas një takimi me strukturat e partisë në Vaun e Dejës.

Takimi ishte në kuadër të turit të takimeve me degët për të bërë një bilanc mbi zhvillimet politike të 2019 dhe caktimi i objektivave për 2020. Kryeobjektivi, sipas Bardhit mbetet i njëjtë dhe ai nuk ndryshon; largimi i Edi Ramës.

“Kjo qeveri e kapur në flagrancë në afera korruptive dhe në bashkëpunim me krimin, ka marrë peng të ardhmen e qytetarëve shqiptarë, ka marrë peng të ardhmen e të rinjve shqiptarë, duke detyruar pjesën dërrmuese të të rinjve të lënë vendin dhe të shkojnë në emigracion. Objektivi ynë politik për vitin 2020 është i njëjti objektiv që kemi pasur që në shkurt te vitit 2019”, deklaroi ai.

Bardhi akuzoi Ministrinë e Drejtësisë se ka bllokuar për 1 muaj e gjysmë kërkesën e prokurorisë për të verifikuar tek autoritetet italiane nëse kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani është i dënuar apo jo për vjedhje matanë Adriatikut.

“Unë gjej rastin t’i bëj apel Prokurorisë së Përgjithshme të zbatojë ligjin, të mos zvarrisë procedurat dhe të nxjerrë përfundimet bazuar në të gjitha informacionet që disponon. Në dijeninë time, është duke pritur letërporosinë që ka dërguar në Itali. Dua të sqaroj opinionin publik se kjo letërporosi dhe vonesa që po shkaktohet, ka ardhur për shkak të bllokimit nga Ministria e Drejtësisë. Pra, prej një muaji e gjysëm, letërporosia e përgatitur nga Prokuroria e Përgjithshme nuk u është përcjellë autoriteteve italiane, duke sjellë zvarritje dhe duke lejuar një njeri në konflikt me ligjin, të ushtrojë funksion publik. Një hajdut i certifikuar, sot administron paratë e taksapaguesve të bashkisë së Vaut të Dejës”, tha ai.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By