Rama paralajmëron “rrezik destabilizimi” të 25 prillit
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi “rrezik” për trazira në zgjedhjet e 25 prillit sa vjen e shtohet, duke e lidhur këtë me humbjen, sipas tij, të opozitës.
“Rreziku i destablizimit të procesit zgjedhor për shkak të humbjes që afron gjithnjë e më shumë është i pranishëm”, deklaroi Rama.
Kreu i Qeverisë foli nga Fieri gjatë ceremonisë së takimit dhe prezantimit të kandidatëve për këtë qark. Rama nuk sheh si “kërcënim” Lulzim Bashën.
“Lulzim Basha nuk është rrezik për demokracinë dhe drejtësinë, por mishëron rrezikun si përfaqësues i atyre që e kanë Bashën një manekin në duart e tyre, Saliu, Iliri dhe Monika”, tha ai.
Si provë të asaj që e quan “pengmarrje” të kreut të Partisë Demokratike Rama sheh marrëveshjen e koalicionit paszgjedhor mes PD-së dhe LSI-së.
“Nënshkruan një kontratë absurde mes dy forcave politike që hyjnë në zgjedhjeve veç e veç dhe bëjnë përpara koalicionin zgjedhor. Për ç’arsye?! Për të noterizuar aktin e pengmarrjes së tij (Bashës)”, deklaroi Rama.
Kryeministri u bëri thirrje mbështetësve të PD-së që të votojnë Partinë Socialiste dhe taksën progresive, duke deklaruar se me taksën e sheshtë do të paguajnë më shumë.