Metani në krye të ILD, PD: Akt nul! Parlamenti e KED shkelën Kushtetutën.mp4

7 Shikime
Gazeta Si
0
Published on 21 Jan 2020 / In Lajme

Duke cituar nene të Kushtetutës dhe të ligjit për organet e reja të drejtësië, Partia Demokratike e vlerëson aktin e zgjedhjes së Artur Metanit në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë si nul dhe antikushtetues.

“Ky emërim nga Parlamenti është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë”. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 147/d, parashikon se “Kandidati për Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Po ashtu, ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në nenin 199, parashikon se: “Inspektor i Lartë i Drejtësisë mund të zgjidhet shtetasi shqiptar, që në momentin e kandidimit përmbush këto kushte: dh) nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit”, tha përmes një deklarate për mediat, Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata.

Artur Metani ka qenë këshilltar juridik i Presidentit të Republikës nga viti 2002 deri në korrik të 2012. “Në bazë të Ligjit të Vetingut, nenin 3 pika17, pozicioni i Këshilltarit të Presidentit konsiderohet “funksion politik” në administratën publike”, vijoi Gjata.

PD është e bindur se emërimi i Metanit nuk është as interpretim ndryshe i ligjit nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe as pakujdesi juridike, por e qëllimtë dhe për këtë drejton gishtin nga Kryeministri Edi Rama.

“Për të emëruar vartësin e Edi Ramës në krye të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, u shkelën kriteret bazë kushtetuese dhe ligjore. Si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, edhe Parlamenti kanë shkelur me vetëdije ligjet dhe Kushtetutën, duke qenë në dijeni të plotë të faktit ndalues se Artur Metani në 10 vitet e fundit ka qenë “funksionar politik”, si pjesë e Kabinetit të Presidentit të Republikës. Kjo është shkelja më e rëndë nga Parlamenti në emërimin e Artur Metanit. Por kur bëhet fjalë për njeriun besnik të Kryeministrit Parlamenti mbyll sytë dhe voton në një akt nul, antikushtetues!”, deklaroi Gjata.

Opozita thotë se në krye të ILD-së Metani nuk do t’i shërbejë një drejtësie të pavarur, por direkt interesave të Kryeministrit Edi Rama.

“Metani u emërua nga vetë Kryeministri Avokat i Shtetit, pra vartës direkt i tij, pa folur për lidhjet familjare e nepotike të Metanit më eksponentë të njohur të qeverisë dhe Partisë Socialiste, gjë që është bërë normë për drejtuesit e lartë të organeve të reja të drejtësisë. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është kunati i një tjetër deputeteje socialiste”, vijoi Gjata.

Sekretari demokrat për Çështjet Ligjore sqaroi edhe se përse i duhet Edi Ramës Artur Metani si drejtues i ILD-së.

“Për arsyen e thjeshtë se në këtë funksion Inspektori ka si kompetencë të kontrollojë punën e gjykatësve dhe të prokurorëve të Republikës dhe t’i propozoje sipas rastit KLP dhe KLGJ masat disiplinore deri në shkarkim nga detyra. Kështu Edi Rama ka në dorë gjyqësorin dhe prokurorët, të cilët po nuk zbatuan urdhrat e tij u lëshon Inspektorin, pra Metanin. Në këtë mënyrë, Edi Rama synon t’i mbajë gjyqtarët dhe prokurorët në një veting permanent dhe personal”, thotë PD.

Këtë akt, opozita e vlerëson si goditja përfundimtare për kapjen e drejtësisë nga ana e Edi Ramës.

“Koha po provon atë që Partia Demokratike paralajmëroi që prej fillimit: I vetmi synim i Edi Ramës me reformën në drejtësi është kontrolli i plotë i saj dhe jo drejtësia e pavarur në shërbim të qytetarëve. Sot askush nuk beson më në pavarësinë e organeve të reja të drejtësisë nga Kryeministri, i cili po i kthen ato në organe private të tij. E vetmja rrugë për shpëtimin e reformës në drejtësi është largimi i Edi Ramës”, mbylli deklaratën e tij, Çlirim Gjata.

Më shumë
0 Komente sort Sort By