Up next

Gjiknuri pret PD, Balla: Propozimi ynë për listat është më i miri

22 Shikime· 09/21/20
Gazeta Si
Gazeta Si
1 Subscribers
1
In Lajme

Partia Socialiste shprehet e gatshme që të diskutojë me opozitën parlamentare dhe atë jashtëparlamentare metodikën e hapjes së listave, por me bindjen se propozimi i saj është më i miri i mundshëm.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla thotë se formula e propozuar nga PS garanton përfaqësimin gjinor në Kuvend dhe njëkohësisht u jep mundësi votuesve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve të ofruara nga partia, pa i mohuar kësaj të fundit peshën elektorale të saj.

“Argumenti që një kandidat që të zgjidhet deputet pa mbështetjen reale të partisë politike, duhet që të përmbushë legjitimitetin demokratik për të pasur votat, sepse kjo nuk mund të jetë që mblidhen 36 vetë në Tiranë, marrin të gjithë nga 300 vota dhe ai që ka 301 është deputeti. Ky nuk është legjitimiteti demokratik. Në këtë kendvështrim fakti që renditja e partisë politike thyhet nga mbështetja që do të marrë secili kandidat, ky është një hap shumë i madh dhe brenda pjesës që do të quhet renditja e propozuar nga partia, numri i votave për secilin kandidat rimodelon listën”, tha Balla.

Balla foli para gazetarëvenë përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ndërkohë që në orët e pasdites Rama do të mbledhë drejtuesit politikë të partisë në qarqe për raportimin javor. Sekretari i Përgjithshëm i socialistëve dha me shifra se cilat janë pretendimet e PS-së në zgjedhjet e 25 prillit.

“Partia Socialiste, që është forca modernizuese e jetës politike në vend do të ketë në grupin e saj parlamentar të pas 25 prillit, nga 75, apo 74 minimalisht, të paktën një e treta do të jenë gra dhe kjo do të thotë që është një numër i konsiderueshëm”, deklaroi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të socialistëve u shpreh i bindur gjithashtu se Partia Demokratike do të dorëzojë në Këshillin Politik një propozim të sajin për formulën e hapjes së listave, propozim që do t’i bashkohej atij të Rudina Hajdarit, që kërkon renditje alfabetike në listat e kandidatëve për deputetë.

Drejt Asamblesë në tetor

Taulant Balla tha se së shpejti do të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partia Socialiste, pa dhënë më shumë detaje.

Gazeta “Si” mëson se kjo çështje është diskutuar në mbledhjen e grupit parlamentar dhe pritet që të jetë temë diskutimi edhe në mbledhjen e pasdites së Edi Ramës me drejtuesit politikë të partisë në qarqe.

Një propozim që po qarkullon është ai i mbajtjes së Asamblesë me rreth 350 anëtarë në dy javët e para të muajit tetor në tre qytetet. Sipas këtij propozimi, asambleistët e Jugut të mblidhen në Fier, të Veriut në Shkodër dhe të Shqipërisë së Mesme në Tiranë. Mbledhjet do të lidhen me njëra-tjetrën përmes platformave online dhe më pas të votohet për kryesinë e re të partisë.

Asambleja duhej të ishte thirrur pas zhvillimit të kongresit në fund të muajit shkurt, por u shty për shkak të shpërthimit të pandemisë së koronavirusit në vendin tonë.

Pika tjetër në rend të ditës në këtë mbledhje, siç mëson Gazeta “Si”, do të lidhet me konstatimet e drejtuesve të qarqeve në terren nga takimet me qytetarët. Kryeministri Rama u ka kërkuar 11 drejtuesve të qarqeve (me përjashtim të Durrësit, ku Rama është vetë drejtues politik i qarkut) një raport përmbledhës mbi perceptimin e qytetarëve për qeverisjen.

Rama ka ngarkuar drejtuesit politikë që në takimet me qytetarët të përqëndrohen fort tek punët e kryera nga Qeveria, tek reformat e ndërmarra, sidomos ajo në drejtësi dhe tek investime në sektorët strategjikë, si ujësjellësat.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By


Up next