Covid-19, Basha: Po humbasim kohë me vendime gjysmake
Kryetari i Partisë Demokratike akuzon Qeverinë se nuk ka as plan dhe as strategji për të përballuar krizën shëndetësore, sociale dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, por ecën me vendime të improvizuara dhe premtime të pambajtura.
“Por sot, 5 javë prej fillimit të karantinës, është e qartë se qeveria s’ka as plan, as strategji dhe se ajo ka dështuar në përballimin e situatës. Qytetarët u urdhëruan të rrinë në shtëpi dhe bizneset të mbyllen, por nuk u mor asnjë masë që ata të mbështeteshin financiarisht për këtë sakrificë. Disa hapa gjysmakë dhe me shumë vonesë që u shpallën, ende sot e kësaj dite nuk janë zbatuar dhe njerëzit nuk i kanë marrë akoma lekët e tyre”, deklaroi ai.
Basha akuzon Qeverinë se nuk ka mbajtur as premtimet gjysmake që ka bërë.
“Sot duhej të shpërndahej paketa e dytë e ndihmës, por edhe ky ishte vetëm një premtim tjetër bosh. Qytetarët që tani ju duhet të paguajnë faturat e rritura të dritave e ujit, janë ende sot pa asnjë të ardhur. Bizneset po mbyllin mijëra vende pune sepse nuk kanë asnjë mbështetje”, u shpreh kreu i PD.
Kreu i opozitës thotë gjithashtu se këto pesë javë gjendja është rënduar edhe me shkeljet ligjore e kushtetuese me urdhra, që vijnë nga Facebook-u, ku sipas Bashës, Kryeministri ka marrë përsipër të gjitha funksionet e shtetit, nga polici tek doktori.
Këto 5 javë janë rënduar shkeljet ligjore dhe kushtetuese me urdhra që vijnë nga facebook-u, ku kryeministri ka marrë përsipër të gjitha funksionet në shtet, nga polici tek doktori. Basha këbëngul se paratë për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset në këtë periudhë të vështirë janë, por akuzon Ramën se zgjedh që ato të shkojnë për tendera korruptivë dhe koncesione dhe jo për qytetarët.
Panorama që Basha i bëri gjendjes së përgjithshme të vendit ishte më shumë se e zymtë. Ai thotë se ekonomia po shkatërrohet, fasoneritë kanë nisur të preken masivisht nga Covid-19, mijëra qytetarë kanë humbur vendet e punës dhe bukën e tyre të përditshme dhe dhjetëra mijëra biznese rrezikojnë falimentimin. Si zgjidhje propozon nisjen me urgjencë testimet masive të popullatës, për të kuptuar, siç thotë se në çfarë niveli është përhapur virusi në vend.