Basha shmang debatin për Çlirimin: 28 Nëntori tjetër do të na gjejë më afër Europës
Pak pasi Ilir Meta dhe E
di Rama vendosnin buqeta me lule në monumentin e Pavarësisë në Vlorë, Lulzim Basha bëri të njëjtën gjë, por në Tiranë.
Kreu i demokratëve vendosi një buqetë me lule në “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit”, por ndryshe në mesazhin e shkurtër të përcjellë me këtë rast shmangu debatin mbi datën e Çlirimit, duke uruar vetëm Ditën e Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë.
“Sot kujtojmë me nderim dhe përkulemi me respekt para veprës dhe sakrificës të të gjithë bijëve dhe bijave të Kombit tonë që sakrifikuan gjithçka në altarin e lirisë dhe pavarësisë kombëtare”, tha Basha.
Kreu i PD-së thotë se kjo ditë feste e gëzimi e gjen vendin në një situatë të vështirë shëndetësore, ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga pandemia.
“Shqipëria dhe shqiptarët po përballen me sfidën e tejkalimit të pendamisë që na ka marrë qindra qytetarë duke lënduar mijëra familje, ndërkohë që mijëra të tjerë po vuajnë pasojat shëndetësore dhe shumë më shumë pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë. në këto kushte kjo ditë dhe kjo festë është një kujtesë e fuqisë dhe forcës së kombit tonë. unë jam i bindur në fuqinë dhe forcën e qytetarëve shqiptarë për të qenë së bashku dhe tejkaluar së bashku pasojat e kësaj krize dhe për të dalë më të fortë”, tha ai.
Basha e mbyll mesazhin me bindjen se 28 Nëntori 2021 do të gjejë një Shqipëri më të shëndetshme, më të mirë dhe më afër Europës.