Basha: Qeveria braktisi qytetarët! Pandemia po i varfëron
Lulzim Basha akuzon Qeverinë për braktisje të qytetarëve në këtë kohë krize. “Shqiptarët po i rikthehen jetës normale duke u munduar vetë për të ruajtur rregullat e higjienës dhe ato të distancimit social”, thotë kreu i PD.
Por, Basha deklaron se normaliteti mungon tek ekonomia dhe xhepat e boshatisur të qytetarëve dhe bizneseve në vështirësi.
“Në rrugë dhe dyqane takova qytetarë që nuk kanë marrë ende asnjë ndihmë nga Qeveria. Pandemia ekonomike e shkaktuar nga dështimet e Ramës në menaxhimin e krizës po i varfëron edhe më shumë familjet shqiptare”, deklaron kreu i opozitës përmes një postimi në rrjetet sociale.
Basha e shoqëron këtë reagim me një video të shkurtër ku shfaqet në bashkëbisedim me pronarë biznesi të vogël, të cilët i ankohen për mungesën e ndihmës nga Qeveria dhe faturime të larta të energjisë elektrike e të ujit.