Basha i jep “besën” Kryemadhit: Pas 25 prillit qeverisim me LSI-në
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë nënshkruar një marrëveshje parazgjedhore, sipas të cilës dy partitë angazhohen për koalicion të përbashkët paszgjedhor.
Por, megjithatë deri mbrëmjen e kësaj të diele, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nuk janë shfaqur në asnjë moment bashkë në fushatë.
Gjërat ndryshuan mbrëmjen e kësaj të diele, një javë para mbajtjes së zgjedhjeve, ku Basha e Kryemadhi u shfaqën në krah të njëri-tjetrit në zonën e Kombinatit në Tiranë.
“Shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë për ndryshim dhe ne jemi të vendosur që votën për ndryshim ta kthejmë në një qeverisje të shpresës. Edhe Edi Rama e ka mësuar që më 25 prill ai humb dhe Shqipëria fiton dhe tani po përpiqet të hapë një deriçkë dhe kërkon që të bëhet pjesë e qeverisjes që do të qeverisë Shqipërinë pas 25 prillit. Koalicioni për ndryshim do të bëjë koalicion qeverisës me Lëvizjen Socialiste për Integrim me qëllim për t’i dhënë vendit një qeverisje të ndryshimit, të shpresës që do të hapë rrugën për Shqipërinë në Europë”, tha Basha.
Kreu i PD premtoi hapjen e negociatave brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së tij.