KQZ nuk pengon dot të infektuarit me Covid që të votojnë
Nëse një i infektuar me Covid paraqitet në qendrën e tij të votimit, komisionerët i gjejnë emrin dhe pasi kryejnë të gjitha procedurat që lidhen me identifikimin dhe regjistrimin do ta lënë atë të votojë pa asnjë pengesë.
Burime të Gazetës Si nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thonë se nuk është në tagrin e këtij institucioni që të gjurmojë personat e infektuar me Covid dhe t’u imponojë atyre zbatimin e akteve ligjore në fuqi për izolimin e karantinimin, që rrjedhimisht e përjashton këtë kategori nga e drejta për të votuar më 25 prill.
“KQZ është roje vetëm për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të respektimit të Kodit Zgjedhor dhe të akteve të nxjerra nga vetë KQZ”, thonë burimet.
Ky qëndrim u konfirmua tërthorazi edhe nga Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, kur u pyet në lidhje me vendimin e Komitetit Teknik për të karantinuar emigrantët që kthehen në Shqipëri.
“Në procesin e votimit, anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit nuk doktorë nuk bëjnë vlerësimin e askujt nëse duhet të paraqitet apo të mos paraqitet në qendrat e votimit. Kush paraqitet në qendrën e votimit do të lejohet që të votojë”, deklaroi Celibashi.
Burimet shtojnë se deri më tani nuk kanë asnjë listë emërore me emra të personave të infektuar me Covid.
“Së pari, edhe nëse do ta kishim një listë të tillë ligjshmëria e saj, përsa na takon ne (KQZ) si institucion do të ishte e dyshimtë. Së dyti, lista të tilla janë dinamike, sepse një person që mund të jetë sot pjesë e saj, s’është nesër pasi mund të rezultojë negativ në testet anti-Covid”, sqarojnë burimet.
Dalja ose jo në votime e persona të infektuar me Covid mbetet në dorë të vullnetit të tyre dhe bashkë me të edhe të gatishmërisë që kanë për t’u përballur me pasojat ligjore, që shkojnë në gjoba deri në 700 mijë lek.
Shqipëria numëron aktualisht rreth 25 mijë të infektuar aktivë. Deri të dielën, kur do të votohet kjo shifër pak pritet që të luhatet. Pjesa dërrmuese e kësaj kategorie janë persona me të drejtë vote, që e përkthyer në mandate deputetësh mund të jetë përcaktuese për dy deri në tre të tillë.