James Webb mbërriti, çfarë vjen më pas
Tridhjetë ditë pas nisjes nga toka, teleskopi më i fuqishëm i ndërtuar ndonjëherë nga njeriu, “James Webb” ka mbërritur në atë që do të jetë shtëpia e tij e re për të paktën pesë vitet e ardhshme 1.5 milion kilometra larg: pika Lagrange 2.
Pas pozicionimit në këtë orbitë, inxhhinierët dhe shkencëtarët nga Toka do të shpenzojnë tre muajt e ardhshëm për “kolaudimin” e teleskopit dhe aktivizimin e tij. Detyrat kryesore dhe më të vështira janë hapja dhe aktivizimi i katër instrumenteve të tij, bashkë me pasqyrat, në veçanti pasqyrën e madhe 6.5 metër të gjerë, që do të shërbejë si reflektuese.
“Do të kemi shumë punë për të bërë bashkë 18 segmentet dhe shndërruar ata nga gjendja aktuale drejt funksionimit si një pasqyrë e madhe e vetme, si dhe për të optimizuar pasqyrën e dytë në kushtet më të mira”, tha Charlie Atkinson, kryeinxhinieri i “Webb” në Northrop Grumman, kompania amerikane që bashkëudhëhoqi këtë projekt me NASA-n.
“Webb”, konsideruar si trashëgimtari i denjë i “Hubble” u lëshua më 25 dhjetor nga Guaiana Franceze përmes raketës së Agjencisë Hapësinore Europiane, Ariane 5. Objektivi i tij është kapja e yjeve në një distanca prej miliona vitesh dritë larg, që praktikisht në Tokë do ta shndërronte teleskopin një mekanizëm që na kthen pas në kohë.
Mes imazheve mund të jenë edhe fotografi të 13 miliardë viteve më parë, që nëse shkencëtarët do t’i kenë në dispozicion mund t’i ndihmojë të kuptojnë më mirë se çfarë forcash të jashtëzakonshme krijuan yjet, galaktikat, vrimat e zeza dhe planetët, duke përfshirë botët përtej Tokës që mund të mbështesin jetën.
Pika “Lagrange 2” është njëra nga pesë pikat e ekuilibrit gravitacional mes Diellit dhe Tokës, ku satelitët artificialë mund të ruajnë pozicionin e tyre me pak kosto e shpenzime karburanti për korrigjimin e trajektores.
Avantazhi tjetër është se në këtë pikë, Webb shmang temperaturat dhe dritën e fortë të Diellit, siç e pësojnë teleskopët e tjerë që vendosen në pozicione shumë më afër Tokës dhe Diellit. Kjo konsiderohet thelbësore në suksesin e këtij misioni, që është projektuar të skanojë universin me drita infrared, që kërkojnë kushte super të ftohta për të funksionuar.
Dritat infrared kanë valë më të gjata se drita e duksshme, që do t’i krijojë mundësinë teleskopit që të shohë përtej pluhurit kozmik dhe të gjejë yje, që me dritën normale do të ishin të padukshëm.
Webb tashmë do të orbitojë në pikën L2, duke ruajtur Tokën dhe Diellin në një vijë pothuajse të drejtë.
“L2 është pothuajse e qëndrueshme. Ekipi i operacioneve të Webb po përgatitet dhe do të ndërmarrë operacione të korrigjimit të trajektores, sipas përllogaritjeve tona çdo 20 ditë”, thotë Jean-Paul Pinaud, që drejton ekipin e inxhinierëve të Northrop përgjegjës për mbajtjen në trajketore të Webb.
Optika dhe instrumentet e tjera të Webb, të fshehura pas një mburoje kundër rrezeve të Diellit do të ftohen deri në -230 gradë celciues. Disa sektorë dhe instrumente të teleskopit, sipas inxhinierëve e kanë arritur tashmë këtë temperaturë.