Video të fundit


Zv.Kryeministri dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj iu shmang pyetjeve në lidhje me arrestimin e Lefter Kokës për çështjen e incineratorit të Elbasanit.
Ish-ministri i Financave përjashtoi qeverinë dhe ministritë e tjera nga përgjegjësia kolektive në lidhje me këtë koncesion, në të cilin, sipas akuzës së SPAK, Lefter Koka ka përfituar 3.7 milionë euro ryshfet për t’i hapur rrugë ndërtimit.
“Përgjegjësia para drejtësisë është individuale, nuk është as kolektive dhe as politike”, tha Ahmetaj.
Ministri i Rindërtimit, që në kohën e dhënies së këtyre koncesioneve ka mbajtur postin e ministrit të Financave e shmangu fjalën “incinerator” dhe e cilësoi investimin në Elbasan si aset shtetëror.
Kontrata e koncesionit të incineratorit të Elbasanit përfundon ditën e enjte dhe pas kësaj faze u kalon bashkive të qarkut të Elbasanit për ta menaxhuar. Por si do të funksionojë tani që është nën sekuestro? Ahmetaj tha se ka një procedurë ligjore që e zgjidh këtë, pa dhënë më shumë detaje.


Kryeministri Edi Rama u ndal në zonat e përmbytura nga Lumi i Vjosës në Fier dhe Vlorë, ku në takimet që pati me drejtuesit emergjencave civile, ata të pushtetit vendor dhe qytetarë tha se këto përmbytje janë edhe pasojë e mungesës së hidrocentraleve dhe digave në këtë lumë.
“Për sa kohë ku do të mbahet lumë i egër dhe ne duam ta mbajmë lumë të egër, përsa kohë asnjë hidrocentral dhe digë nuk do të lejohet kjo vetvetiu i ka ato risqet e veta. E bukur shumë është egërsia e lumit, por pastaj....”, tha Rama.
Vjosa është lumi i fundit i egër i Europës, që rrjedh në shtratin e vet natyror pa ndërhyrje devijuese nga dora e njeriut. Për këtë arsye, aktivistë dhe ambientalistë kërkojnë shpalljen e Vjosës Park Kombëtar përgjatë të gjithë gjatësisë së tij.
Megjithatë, në prill të këtij viti Rama është shprehur se Qeveria nuk mund të plotësojë kërkesën e aktivistëve dhe organizatave mjedisore vendore dhe ndërkombëtare për të shpallur Lumin e Vjosës si Park Kombëtar në të gjithë rrjedhën e tij.
Ai tha se ka qenë ai që e ka shtyrë përpara idenë për të mbrojtur këtë lum duke e kategorizuar si zonë të mbrojtur, por vlerëson se shpallja e tij Park Kombëtar në të gjithë rrjedhën është e pamundur.
“Idenë e Vjosës Park Kombëtar kemi qenë ne që e kemi promovuar. Zonë e mbrojtur është një kategorizim që e mbron qartësisht nga ndërhyrjet në shtratin e saj, që nuk lejon ndërtimin e digave për hidrocentrale, ndërsa koncepti Park Kombëtar duhet trajtuar në zonë në mënyrë të kujdesshme, sepse nuk mund të shtrihet në gjithë rrjedhën e saj. Duhet ndarë zona e mbrojtur nga ajo Park Kombëtar, si dhe nga zhvillimi i aktiviteteve që nuk kërcënojnë Vjosën vetë”, thotë Rama gjatë një interviste në “Ëake Up”.
Shoqata vendase e ndërkombëtare dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit kanë ndërmarrë fushatën “Vjosa Park Kombëtar Tani”. Kësaj fushate i janë bashkangjitur edhe emra të njohur, mes të cilëve edhe aktori i famshëm Leonardi Di Caprio. Shpalljen e Vjosës Park Kombëtar në të gjithë rrjedhën e tij e ka mbështetur edhe Presidenti Ilir Meta, ndërsa këtë e ka kërkuar edhe Bashkimi Europian në raportin e fundit të progresit të miratuar nga PE.
Në këndvështrimin e Brukselit janë disa projekte të Qeverisë shqiptare që cenojnë zonat e mbrojtura dhe theksi vihet tek Valbona në veri dhe Vjosa në jug.
“I kërkojmë Qeverisë që të minimizojë ndikimin tek biodiversiteti duke ndaluar projektet për ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, sidomos në zonat pranë lumenjve Valbonë dhe Vjosë”, thuhet në raport.
Valbona është shpallur Park Kombëtar dhe i njëjti status bëhet thirrje që t’i jepet Vjosës përgjatë të gjithë rrjedhës së tij.
“Të vendoset sa më shpejt shpallja e Vjosës Park Kombëtar përgjatë të gjithë rrjedhës së tij në përputhje me zotimin e bërë”, thotë raporti.
KE shpreh shqetësim se disa projekte kanë bërë dëm në mjedis në zonat e mbrojtura dhe i kërkon Qeverisë që të konsultohet ngushtë me shoqërinë civile dhe komunitetet vendore para se të vendosë për projekte të tilla në të ardhmen.


Vjosa ka dalë nga shtrati duke përmbytur qindra hektarë tokë në zonën e Fierit dhe të Vlorës dhe duke shkaktuar probleme në qarkullim. Situata është kritike në mjaft zona, ndërsa pjesë të aksit të vjetër që lidh Fierin me Vlorën janë plotësisht nën ujë.
Në Vlorë situata është edhe më dramatike. Vjosa ka përmbytur disa shtëpi në fshatin Fitore të njësisë së Novoselës, ndërsa mbi 300 banorë janë izoluar për shkak të dëmtimit të Urës së Mesaplikut.
Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj thotë se situata në Fitore është kritike pasi argjinatura në urën e Mifolit është çarë, duke kërcënuar të tjera banesa nga përmbytjet në orët në vazhdim.
Situatë problematike është paraqitur edhe në Fier ku në disa zona niveli i ujit ka shkuar në 50 cm deri në 1 m. Në Ferras dhe Çerven janë përmbytur serat dhe fermat duke dëmtuar tokat bujqësore, teksa uji ka hyrë deri në katin e parë të banesave. Kreu i emergjencave Civile, Haki Çako bëri me dije se janë evakuuar 13 familje, ndërsa tha s eniveli i ujit po bie dhe gjendja nuk paraqitet kritike.
Ndërkohë nënstacioni elektrik i Poçemit është ndalur që në orën 1:30 të natës dhe janë pa energji elektrike rreth 3700 familje. Pa energji janë fshatrat Hekal, Fratar, Selitë, Kutë. Reshjet e dëborës kanë sjellë probleme me energjinë elektrike në Bashkinë Maliq në Korçë. Sakaq, Në Pogradec prej 48 orësh dy Njësi Administrative, Dardhas dhe Trebinjë dhe 6 fshatra në njësinë Proptisht janë pa drita


Të paktën 83 persona kanë gjetur vdekjen dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur nga seria e tornadove të fuqishme që goditi Kentakin në SHBA.
Tërbimi i natyrës ka lënë pas pamje apokaliptike të shkatërrimit. Rrugë që kalojnë mes banesave dhe ndërtesave të tjera të rrafshuara në shesh, makina të shkatërruar dhe dhimbje për të humburit.
Autoritetet thonë se janë në kërkim për të mbijetuarit, ndërsa guvernatori i shtetit i cilësoi tornadot më të ashprat që kanë goditur ndonjëherë Kentakin. Epiqendra e tornadove ka qenë në qytezën Mayfield