Basha refuzoi bashkëpunimin, Rama: Provoi që nuk shkëputet dot nga Saliu dhe Iliri
Kryeministri Edi Rama thotë se me refuzimin për të bashkëpunuar pas 25 prillit, Lulzim Basha provoi se ai nuk është udhëheqës i opozitës, por udhëndjekës i rrugës së Sali Berishës dhe Ilir Metës.
“Më pyeti ai gazetari nëse do të bashkëpunoja me Lulzim Bashën. Padiskutim, por me një kusht që duhet të ndahet nga Saliu dhe nga Iliri dhe Lulzim Basha përgjigjet dhe përgjigja e tij është thjesht dhe vetëm pohimi i faktit që ai nuk është një lider, një udhëheqës! Ai është udhëndjekës i Saliut dhe Ilirit”, tha Rama.
Kryesocialisti foli gjatë një takimi elektoral në Kamëz. Ai tha se Bashës i mungon guximi për të shkuaër përtej ndasive të 3 dekadave demokraci.
“Unë për Shqipërinë dhe shqiptarët jam i gatshëm të shkoj përtej të gjitha dasive të 30 viteve, por që ta bësh këtë duhet të jesh lider dhe duhet të kesh forcën e karakterit dhe vizionin e të ardhmes, duhet që të jetosh së brendshmi me aspiratat e njerëzve, që ta bësh këtë duhet të rrish pa gjumë kur njerëzit janë pa çati”, u shpreh ai.
Rama ftoi qytetarët e Kamzës që të votojnë Partinë Socialiste për të vijuar me investimet, që sipas tij, janë kryer, kanë nisur dhe do të vijojnë në mandatin e tretë.