“Meta 2” i propozon Kuvendit shkarkimin e Presidentit
Pas më shumë se tre orë mbledhje, ku pjesën më të madhe të kohës e mori leximi i raportit 96 faqesh, Komisioni Hetimor Parlamentar gjeti se shkeljet e Presidentit Meta të një morie nenesh të Kushtetutës klasifikoheshin si të rënda dhe unanimisht i propozohet Kuvendit në seancë plenare shkarkimi i tij.
“Është një dokument gjithpërfshirës që do të shërbejë për punë studimore në të ardhmen. Është shterues brenda objektit të hetimit të caktuar në kërkesën e 49 deputetëve të Kuvendit”, tha anëtarja e Komisionit, Vasilika Hysi.
Raporti është hartuar mbi bazën provave fizike e virtuale, ku janë të pasqyruar të gjitha deklaratat e Presidentit para, gjatë dhe pas 25 prillit, që në vlerësimin e 49 deputetëve nismëtarë për shkarkimin e Metës bien ndesh me rolin e tij mbi palët.
Raporti thotë se Presidenti bëri fushatë hapur kundër partisë në pushtet dhe roli i tij nuk perceptohet në popull si unifikues, rrezikoi marrëdhëniet me ndërkombëtarët me akuzat për korrupsion për diplomatët e huaj, nxiti dhunën dhe urrejtjen, madje për këtë të fundit, Komisioni kërkon edhe ndjekjen penale.
“Thirrjet që nxisin dhunë janë subjekt i ndjekjes penale nga organet kompetente”, thotë raporti.
Veç tyre, Komisioni ka administruar si prova edhe postime me foto, video dhe tekst të Presidentit në rrjetet sociale. Prova tjetër është korrespondenca e Presidentit me Gjykatën Kushtetuese, që anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar e interpretojnë si shantazh të tij ndaj kësaj gjykate.
Komisioni akuzon Presidentin se jo vetëm ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por e ka bërë këtë në mënyrë të përsëritur.
“Bëhet fjalë për shkelje të përsëritura në 19 intervista televizive, 9 deklarata për mediat dhe 45 postime në rrjetet sociale”, tha kreu i Komisionit, Alket Hyseni.
Si prova janë administruar edhe të dhënat e mbledhura nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga SPAK në lidhje me kallëzimet për krimet zgjedhore. Komisioni tha se ka administruar edhe informacione nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe një informacion të klasifikuar si sekret nga ana e Policisë së Shtetit, nën dyshimet se Presidenti Ilir Meta mund të jetë takuar me eksponentë të Agimit të Artë.
Informacion është marrë edhe nga Bashkia e Tiranës në lidhje me procedurat e ndjekura prej kësaj të fundit për përplasjen në lidhje me zyrat e Frymës së Re Demokratike si dhe raste të shkarkimit të Presidentit në Letoni dhe vende të tjera europian. Si provë janë administruar edhe dhënia e titujve, dekoratave, procedurave dhe dekreteve të shtetësisë së dhëna nga ana e Presidentit Meta para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.
Gjithashtu, raporti është bazuar edhe te dy mendimet e dhëna nga ekspertët Artan Spahiu dhe Erind Mërkuri.
Raporti do t'i dorëzohet Kuvendit brenda javës së ardhshme. Kuvendi më pas duhet të vendosë në seancë plenare me të paktën 94 vota pro për shkarkimin e Metës. Votimi i Parlamentit, së bashku me raportin e Komisionit Hetimor dorëzohet më pas në Gjykatën Kushtetuese, që jep vendimin përfundimtar, ose për shkarkimin, ose e rrëzon raportin dhe Presidenti Meta vijon detyrën.