Video e mjekut Artan Koni mbi kostot e sterilizimit
Në harkun kohor të pak ditëve nga Ministria e Shëndetësisë dalin shifra të ndryshme mbi efektet pozitive të koncesionit të sterilizimit në uljen e numrit të infeksioneve pas operacioneve. E fundit që solli një shifër për të mbrojtur këtë koncesion ishte ministrja Ogerta Manastirliu.
“Reduktimi i infeksioneve post operatore është një fakt i përligjur, pasi nga vlerësimet që ne kemi bërë, edhe me Organizatën Botërore të Shëndetësisë ka një reduktim të infeksioneve post operatore nga 30 për qind, në 15.1 për qind që është me të vërtetë një vlerë”, deklaroi para mediave këtë të martë ministrja Manastirliu.
Por, në fund të tetorit të vitit të kaluar, Arben Ahmetaj, në atë kohë kryetar i Komisionit të Ekonomisë, mbronte këtë koncesion, duke deklaruar një tjetër shifër për uljen e infeksioneve pas operacionale.
“Sterilizimi ka ulur me mbi 23 për qind numrin e infeksioneve post operatore. Këtë shifër e keni në ministri dhe mund ta kërkoni. Janë numra njerëzish”, deklaroi Ahmetaj i ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan.
Kjo deklaratë e tij nxiti Faktoje.al, një platformë mediatike që si mision i ka vënë vetes kategorizimin e deklaratave dhe premtimeve të politikanëve në “të vërteta”, apo “të rreme”, që të kërkojë një informacion zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me shifrën e infeksioneve post operatore.
“Faktoje” thotë se i kërkoi Ministrisë e Shëndetësisë informacion mbi numrin e infeksioneve post operatore nga viti 2014, një vit para se të hynte në fuqi kontrata koncesionare e sterilizimit, deri në vitin 2018. Në përgjigjen që ka marrë pas, “Faktoje” thotë se ministria ka deklaruar se nuk ka një regjistër për infeksionet spitalore post operacionale.
Ministria deklaron se shifrat bazohen tek studime të herëpashershme, por është e paqartë se si, ku dhe kur janë publikuar këto studime të kësaj ministrie dhe pyetja që mbetet pa përgjigje është se kë duhet të besojmë, 23 përqindëshin e Arben Ahmetajt, 15.1 përqindëshin e Ogerta Manastirliut, apo Ministrinë e Shëndetësisë si institucion, që thotë se nuk ka shifra fare?
Ndërkohë, koncesioni i sterlizimit ka përfunduar në SPAK, pas padisë penale të dorëzuar nga Nisma “Thurje”, që pretendon për një koncesion abuziv që rrit në shifra marramendëse koston e këtij shërbimi për buxhetin e shtetit. Sipas padisë, Nisma “Thurje” thotë se sipas kontratës së nënshkruar, privati kryen sterilizimin e një seti spitalor për 90 euro, ndërkohë që nëse ky shërbim do të kryhej nga shteti do të kushtonte 2.4 euro.
Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka thirrur 12 persona duke filluar nga e hëna e 20 janarit, të cilët do të pyeten në lidhje me kontratën koncesionare të sterilizimit. I pari që dëshmoi ishte mjeku kirurg, Artan Koni, që përmes një video-mesazhi pretendon se sa e fryrë është kostoja e këtij shërbimi që ofrohet nga privati.
Ministrja Ogerta Manastirliu njoftoi këtë të martë se kontrata është rishikuar në javën e dytë të këtij muaji, pak ditë pasi është dorëzuar në SPAK padia ndaj këtij koncesioni.
“Një amendim i kësaj kontrate koncesionare ka ndodhur pikërisht në javën e dytë të këtij muaji duke reduktuar pagesat për mbi 64 mijë ndërhyrje për të gjithë kompleksitetet e ndërhyrjeve të mesme dhe të larta”, deklaroi ajo.
Megjithatë, në buxhetin e vitit 2020 ministria e Financave raporton se vlera e kontratës për koncesionin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale në salla rritet në 16.5 miliardë lekë nga 10 miliardë lekë që ishin raportuar në buxhetin e vitit 2018. Vlera e financimit për koncesionin e sterilizimit është rritur me 65 për qind në harkun e dy viteve. Koncesioni, i cili nisi në vitin 2015 dhe përfundon në vitin 2025.
Hijet e dyshimit ndaj tij u hodhën që në momentin që tenderin e fitoi një biznesmen i panjohur shqiptar, emigrant në Peruxhia, pronar i një agjencie ndërmjetësimi dhe një kompanie ndërtimi, i cili u përfol me lidhje të forta me Ilir Beqajn, në atë kohë ministër i Shëndetësisë.