Up next


Reforma Zgjedhore, Rama jep 24 orë afat

4 Shikime
Gazeta Si
0
Published on 02 Jun 2020 / In Lajme

Kryeministri Edi Rama u përpoq që të shmangë komentet mbi ecurinë e bisedimeve me opozitën për reformën zgjedhore, megjithëse tha se ishte në dijeni të të gjithë procesit. Refuzimi për të komentuar propozimet e opozitës, Kryeministri e lidhi me përpjekjet e ndërkombëtarëve për të mundësuar konsensusin.

Megjithatë, Rama këmbëngul se mazhoranca do të qëndrojë brenda kornizave të rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR, sidomos tek depolitizimi i administratës publike dhe tek shtrirja e teknologjisë në procesin e votimit. Këto janë dy nga tre pikat ku ka ngecur dialogu, pasi opozita kërkon shtrirje 100 për qind të identifikimit biometrik të zgjedhësve.

“Ka një sugjerim të kthyer në një kërkesë që nga Bundestagu është përfshirë në dokumentin e Këshillit për një reformë zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, që do të votohet në Parlament. Mbi bazën e këtyre rekomandimeve, gjithçka që nuk është shkencë, ne jemi të hapur deri në fund për çdo gjë. Por, duke qenë se në këtë proces për të ndihmuar janë përfshirë edhe partnerë miq të Shqipërisë, nuk dëshiroj që të bëj komente para sesa të flasin dëshmitarët”, tha ai.

Kryeministri nënkuptoi se brenda 24 orëve do të mësohet nëse ndërmjetësuesit ndërkombëtarë do të jenë të suksesshëm në përpjekjet e tyre për marrëveshje apo jo. Ai i rezervoi vetes të drejtën për të folur më tepër për reformën zgjedhore pas disa orësh dhe me afat maksimal 24 orë.

“Pas disa orësh, maksimumi 24 orësh do të flas”, tha ai.

Afati përkon me mbledhjen e radhës të Këshillit Politik, që është thirrur pasditen e kësaj të marte në orën 17:00.

Rama iu përgjigj edhe kërkesave për ndryshim sistemi.

“Ata që mendojnë se ky sistem, ai sistem mund të bëjë mrekulli nuk është e vërtetë. Është thjesht çështje respektimi standardesh dhe garantimi standardesh. Ne për këtë kemi punuar dhe besoj e kemi bërë detyrën tonë dhe për këtë ka dëshmitarë”, deklaroi ai.

Kryeministri tha se ndjente keqardhje që në 2020 klasa politike shqiptare kishte ende nevojë për ndërhyrjen e ambasadave ndërkombëtarë për të diskutuar një çështje, që thotë se përcakton rregullaat e lojës.

“Duhej ta kishim bërë vetë këtë, por duke qenë se palët e tjera kanë nevojë për këtë element për garanci, nuk ka problem. u jam mirënjohës miqëve që janë përpjekur të na ndihmojnë duke lehtësuar procesin e komunikimit. Nuk bëj koment sot për këtë pasi mendoj që ka akoma të tjerë që duhet të flasin”, u shpreh ai.

Çështjet që qëndrojnë në mes të marrëveshjes

Mes dështimit dhe arritjes së konsensusit qëndrojnë tre çështje. E para lidhet me identifikimin biometrik të votuesve. Opozita kërkon që ky identifikim të zbatohet në të gjithë vendin, ndërsa socialistët propozojnë fillimisht një projekt pilot, që do të përfshijë deri në 10 për qind të elektoratit.

Pika e dytë lidhet me depolitizimin e administratës zgjedhore, që është edhe një rekomandim i OSBE/ODIHR. Socialistët këmbëngulin tek kjo pjesë. PD dhe LSI nga ana tjetër janë tërhequr disi nga qëndrimi fillestar kundër këtij propozimi dhe duken të gatshëm që të japin konsensusin për të, por e kanë kushtëzuar depolitizimin e administratës me identifikimin biometrik 100 për qind.

Pika e tretë lidhet me Kolegjin Zgjedhor. Mazhoranca propozon që anëtarë të këtij kolegji të jenë vetëm gjyqtarët e Apelit që kanë kaluar procesin e vettingut, ndërsa opozita fillimisht propozoi që pjesë e këtij Kolegji të bëheshin gjyqtarë të të gjitha shkallave të gjyqësorit, edhe pa e kaluar vettingun.

Por, ditët e fundit opozita ka paraqitur një propozim të ri, sipas të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të marrë kompetencat e Kolegjit Zgjedhor. Socialistët shprehin rezerva për këtë propozim dhe deklarojnë se ky propozim mund të kërkojë ndërhyrjen në Kushtetutë, pasi Kushtetuta i ka të përcaktuara kompetencat e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, palët kanë rënë dakord për një mori çështjet të tjera, duke filluaar që nga kamerat në qendrat e votimit, aktivizimin e SPAK-ut në hetimin e krimit zgjedhor, imunitet penal ndaj personave që denoncojnë krimet zgjedhore, hapje e kutive të votimit me kërkesa të partive, kur ka dyshime të arsyeshme për mospërputhje numri votuesish me fletët e votimit, financimi në fushatë eleketorale dhe vendosja e një perimetri të gjerë sigurie rreth qendrave të votimit.

Më shumë
0 Komente sort Sort By

Up next