Rama: Meta takohet skutave kundër Qeverisë
Edi Rama foli për afro dy orë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Peshën kryesore të fjalimit të mbajtur u mundua që ta përqëndrojë tek projektet dhe premtimet për mandatin e tretë qeverisës, por minuta të mira u kushtoi edhe kundërshtarëve politikë.
Ajo që ra në sy është se thuajse gjatë të gjithë fjalimit “kurseu” Lulzim Bashën dhe u përqëndrua më fort tek Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Fillimisht Metës i refuzoi ftesën për debat.
“Hajde në debat thotë Meta, Luli thotë në debat, Monika thotë në debat vetëm saliu nuk më do në debat. Iliri të bëjë debatin me Monikën kush është kryetari i LSI-së. Të dalë të bëjë debatin, se që iliri punon për LSI fshehurazi ky është fakt. Pasi të mundë Monikën në debat, pastaj të bëjë debatin me Lulin kush është kryetar i opozitës. Pasi të ketë fituar debatin me Lulin dhe të bëhet kryetar i opozitës dhe pastaj shohim”, tha Rama.
Tonet e përdorura ndaj LSI-së ishin një deja-vu e fushatës zgjedhore të 2017-ës, duke e quajtur “kancer”.
“Ajo është një organizatë që funksionon vetëm me një parim, njësoj si qelizat e kancerit që shtohen vetëm për ta vdekur organizmin që kapin. Me LSI nuk ka mundësi të behet më shumë seç kemi bërë në mandatin e parë. Unë nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë më parë. Kam qenë partizan i bashkimit me LSI dy herë. Mund të kishim bërë shumë më tepër gjëra dhe kemi dhënë atë që qoftë PS, qoftë PD është detyruar të japë kur je në koalicion me LSI, një pjesë të shpirtit”, u shpreh ai.
Më pas ironizoi edhe letrën e drejtuar nga Ilir Meta Asamblesë së PS-së, në të cilën e quan Ramën “refugjat”. “Ajo që më ka bërë përshtypje është që Ilir Meta thotë që juve më keni marrë mua refugjat dhe më keni bërë Kryeministër. Kjo është shprehje që në thelb tregon se sa i do Meta emigrantët”, vijoi Rama.
Meta e sfidoi më herët që të paraqesë një provë të vetme që është takuar me persona që janë subjekte të OFL-së. Rama tha se video nuk ka, por është i sigurtë që takimi ka ndodhur.
“Iliri do video, se është mësuar me video. Unë me video nuk merrem, por është e sigurtë që President në botë dhe në Shqipëri, as Saliu, as ka për të pasur më që dergjet skutave për të bërë fushatë kundër qeverisë për zgjedhjet e ardhshme. Kjo është e sigurtë. Kë takon ai nëpër skuta, ai e di vetë. Fakti që futet nëpër skuta, nëpër kthesa e mbikalime për të rrëzuar qeverinë sikur të ishte më i votuari dhe i kërkuari nga populli opozitar, është në vetvete kriminal”, u shpreh Rama.