Rama mesazh BE: S’ka krim shqiptar
Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi forumin ekonomik “Europa Park” në Mynih të Gjermanisë për të përçuar një mesazh drejtuar Bashkimit Europian.
“Nuk ka krim shqiptar, krimi i organizuar është ndërkombëtar. Si është e mundur që të dhënat për kriminalitetin janë të shkëputura? Në Holandë shqiptarët tashmë janë bërë gjëja më e keqe. Një gazetë me titull të madh se një bandë shqiptarësh ishte shkatërruar. 9 ishin arrestuar, 3 holandezë, një belg, dy nga Polonia, dikush nga Maroku dhe në të ishin dy shqiptarë 65-vjeçarë që ruanin magazinat ku kultivohej droga, por për politikën ishte mirë që ta paraqiste si bandë shqiptare”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi nisjen sa më parë të negociatave.
“Ne jemi të verbuar nga dashuria për Europën dhe ajo na thotë se do të martohet me ne, por si mund të martohemi kur Europa nuk na flet?! Negociatat janë gjëja më e rëndësishme për vendet tona. Anëtarësimi do të vijë për pasojë të tyre. T’u privosh vendeve këtë instrument është pa kuptim”, u shpreh ai.
Sa i takon pjesës ekonomike, Rama ftoi investitorët gjermanë që të investojnë në Shqipëri, duke u premtuar se vendi ka një legjislacion mjaft joshës, krah të lirë pune dhe pozicion strategjik gjeografik.
“Ne mendojmë se kemi një legjislacion mjaft të favorshëm dhe jemi të mirëpozicionuar sa u takon burimeve natyrore. Jemi i vetmi vend në rajon që furnizohet plotësisht me energji të pastër, në të njëjtën kohë jemi pjesë e një hapësire ku kalon gazsjellësi TAP. Jemi një vend mjaft i mirë për të gjithë ata që duan të zhvillojnë prodhimin për shkak të kostos së punës, që është mjaft konkurruese. Jemi të bindur që ofrojmë një mjedis joshës për kompanitë që duan të investojnë”, u shpreh ai.