Up next


Rama kërkon mandatin e tretë me premtime aeroportesh, portesh, hekurudhash e rrugësh

2 Shikime
Gazeta Si
0
Published on 09 Oct 2020 / In Lajme

Kryeministri Edi Rama do t’u kërkojë shqiptarëve më 25 prill mandatin e tretë duke u mbështetur tek platforma për nxitjen e punësimit dhe tek projektet infrastrukturore, që mund të ndërtohen falë paketës prej 20 miliard euro për rajonin të Bashkimit Europian.

Për të parën, Rama tha se sot vendi ka mundësi për të ndezur motorë të rinj të ekonomisë falë rritjes së fuqisë së brendshme të tij.

“Pse dhe si do ta bëjmë Shqipërinë të vrapojë në mandatin e tretë pasi ka ecur dhe ka ecur jo pak në këtë mandat, duke rimarrë veten nga lëngimi dhe paraliza ku ne e gjetëm në mandatin e parë? Faktet thonë që ne kemi dy krahë, kemi krahun e fuqisë sonë të brendshme që sot është shumë më e madhe seç ishte dhe përmes këtij krahu kemi sot para syve tanë një sërë motorësh të rinj për t’i ndezur ekonomisë dhe për të nxitur jo thjesht punësimin në numra, por një punësim ku vlera e pagës edhe në sektorin privat do të rritet”, u shpreh ai.

Krahu tjetër është paketa financiare prej 20 ml eurosh e premtuar nga Bashkimi Europian për rajonin në infrastrukturë, energji dhe digjitalizim.

“Kemi krahun tjetër të ri që është shumë i fuqishëm që është plani i ri europian, që bazohet tek ai që ka qenë vizioni që për fatin tim të madh dhe nderin tim të madh ju e keni përqafuar të gjithë, vizioni i shengenit rajonal. Ka qenë ai vizion që ka avancuar me vështirësi vit pas viti dhe që është bërë baza sot e planit masiv europian pas ndryshimit të Komisionit Europian dhe ka qenë edhe këmbëngulja jonë për të këmbëngulur që integrimi europian individualisht mund të marrë kohë dhe rajoni duhet mbështetur. Komisioneri për Zgjerimin erdhi këtu dhe tha për një plan prej 9 mld euro grante për vendet e rajonit dhe 20 mld të tjera kredi të garantuara nga 1 mld në 9 mld”, u shpreh Rama.

Por a është në gjendje Shqipëria që të përthithë fondet e BE-së? Rama foli i bindur që po.

“Na takon ne që të bëjmë projektet dhe t’i kthejmë këto para në investime. Ne e kemi treguar që dimë ta bëjmë këtë. Paratë për bujqësinë ishin aty prej vitesh. U desh vota e 2017 që ne të merrnim kreditimin për agjencinë dhe sot ne jemi vendi i parë në rajon për thithjen e fondeve të BE-së për bujqësinë”, deklaroi Kryeministri.

Në lidhje me projektet infrastrukturore, Rama premtoi ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, ndërtimin e aeroporteve në Vlorë e Sarandë dhe përfundimin e aeroportit të Kukësit. Sa u takon porteve, Kryeministri premtoi ndërtimin e portit të jahteve në Vlorë, portin e ri në Sarandë dhe portin e mallrave në Porto Romano, duke e shndërruar në port vetëm për pasagjerë portin e Durrësit. Po ashtu, ai tha se do të shqyrtohet mundësia bashkë me Qeverinë e Kosovës për portin e Shëngjinit.

Sa u takon projekteve në rrugë, Rama deklaroi se shpejt do të nisë puna për autostradën Milot-Fier dhe do të vazhdohet me Milot-Muriqan, si pjesë e “Korridorit Blu” dhe premtoi mbylljen e punimeve në Rrugën e Kombit.

Më shumë
0 Komente sort Sort By

Up next