Rama do të vizitojë Rusinë, i pari Kryeministër pas 25 vitesh
Kryeministri Edi Rama pritet që të vizitojë zyrtarisht Rusinë brenda këtij viti, që do të ishte vizita e para e një niveli të tillë që prej kohës kur Kryeministër ishte Aleksandër Meksit, që vizitoi Moskën në prill të vitit 1995.
Vetë Edi Rama e konfirmoi këtë në bashkëbisedimin e organizuar në Vjenë me gazetarët, në kuadër të marrjes së Presidencës së OSBE-së nga ana e vendit tonë.
Rama tha se nuk bëhet fjalë për një vizitë në kuadër të agjendës së tij personale, por si detyrim i agjendës së vendit kryesues të OSBE-së.
“Vizita në Rusi është pjesë e axhendës së drejtuesit të OSBE. Është pjesë e angazhimeve që unë kam marrë. Kemi bërë harmonizimin e takimeve me ministrin në detyrë për të balancuar obligimet e OSBE me ato të brendshme. Disa vizita do të bëhen shumë shpejtë. Vizita në Ukrainë, SHBA dhe Rusi. Për datat presim konfirmimin nga të gjitha palët”, u shpreh ai.
Rama premtoi se Presidencën e OSBE-së, Shqipëria do ta shfrytëzojë për Kosovën, megjithëse ironizon kritikat që ka marrë nga Prishtina mbi nismën për shengenin ballkanik.
“Do të bëjmë të gjitha ato që kemi planifikuar. Nuk është le të themi drejtimi i një qeverie në një vend dhe në këtë aspekt sigurisht që kemi disa ambicie dhe kemi vendosur disa prioritete dhe kemi qenë të vëmendshëm që në këto prioritete të mos vendosim dëshira të parealizueshme. E kemi kapacitetin e duhur për të bërë diçka më tepër për Kosovën sidomos tani që në Prishtinën zyratre jam tradhtar dhe në Beogradin zyrtar jam nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar”, u shpreh ai.