PD publikon mesazhin: Ja si shantazhon Veliaj gazetarët
Partia Demokratike kërkon fillimin e menjëhershëm të hetimeve penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, që sipas opozitës po kërcënon me metoda mafioze të gjitha mediat dhe gazetarët kritikë ndaj tij.
Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi publikoi disa mesazhe, që sipas saj janë të kryebashkiakut Veliaj.
“Mesazhet e Erion Veliajt dëshmojnë mekanizmin dhe metodat mafioze e përdorura nga Kryetari i paligjshëm i Bashkisë së Tiranës për të kërcënuar dhe shantazhuar median që nuk i nënshtrohet makinerisë së stërmadhe të propagandës që paguhet me miliona Euro të zhvatura qytetarëve të Tiranës nga taksat e rritura”, tha Vokshi.
Për opozitën mesazhet në fjalë përbëjnë prova ligjore të një akti të dënueshëm kriminal dhe sipas Vokshit, ato nxjerrin në pah kryebashkiakun e Tiranës si një politikan mafioz dhe armik të lirisë së medias.
“Gjuha e egër, denigruese dhe e urrejtjes ndaj një gruaje gazetare, mesazhet kërcënuese “se nuk ka për t’ia falur” Beti Njumës pse u dha zë artistëve kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, provojnë se Erion Veliaj përbën një kërcënim të rëndë për fjalën e lirë, i gatshëm të eliminojë këdo që cenon pushtetin e tij, duke u thënë qytetarëve të vërtetën”, vijoi Vokshi.