Orët vendimtare për negociatat, Rama drejt Brukselit për të lobuar
Kryeministri Edi Rama është nisur në drejtim të Brukselit për të lobuar për hapjen e negociatave. Ai do të marrë pjesë së bashku me Zoran Zaev në një tryezë të kryeministrave të majtë europianë si përpjekje për të marrë “Po”-në e negociatave.
“Po nisem për në Bruksel së bashku me Kryeministrin Zaev për të takuar Kryeministrat e qeverive socialiste dhe progresiste të Bashkimit Europian, në një format të krijuar enkas nga Partia Socialiste Europiane në funkson të nevojës që kemi sot për të pasur sa më shumë aleatë në tryezën e mbrëmjes së pasnesërme”, njoftoi Rama përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale.
Në të njëjtin mesazh, Kryeministri thotë se ka mbështetjen e Kancelares Angela Merkel, por nuk shprehet as pesimist dhe as optimist se negociatat do të hapen. Ai përsëriti bindjen e tij se Shqipëria meriton hapjen e negociatave dhe se Franca mendon ndryshe për arsye që lidhen me të ardhmen e BE-së.
“Kancelarja Merkel dhe Gjermani po përpiqen intensivisht që të ketë një “Po” për të dyja vendet, ndërkohë që qëndrimi i Presidentit Macron dhe i Francës nuk përkon, të paktën për momentin, me atë të Gjermanisë dhe të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare. Nuk jam as pesimist dhe as optimist për këtë proces, por me realizëm gjykoj se po bëhet maksimumi për të bërë “Po”-në e merituar”, thotë Rama.