Në Kiev po luftohet për çdo centimetër

17 Shikime· 25 Feb 2022
Gazeta Si
Gazeta Si
5 subscribers
0
In Other

Artileria e rëndë, tanket e bombardimet me helikopterë dhe avionë po ja lënë gradualisht vendin luftës rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi në rrethinat e Kievit, Kharkovit dhe qyteteve të tjera të mëdha ukrainase.

Ushtria ukrainase thotë se vijat mbrojtëse po rezistojnë në Summy, Kharkiv, Chihniev dhe në rrethinat e Kievit. Në kryeqytet, në zonat perëndimore të tij nata raportohet e zhurmshme me të shtëna të vazhdueshme kallashnikovi dhe shpërthime të fuqishme.

Ushtria ka dhënë alarmin se grupe të forcave ruse kanë sekuestruar disa automjete të blinduara të ushtrisë ukrainase, janë veshur me uniformat e tyre dhe janë futur në prapavijë në përpjekje për të sabotuar vijën mbrojtëse.

Alarmi është dhënë për katër automjete që raportohet se kanë hyrë në thellësi të kryeqytetit dhe u kërkohet ndihmë qytetarëve që të raportojnë kur të shohin mjetet e blinduara me targa “Kozak 6163, 6164, KrAZ AI5976, AI 5966, GAZ66 dhe AI 5866”.

Ndërkohë, në një njoftim tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës akuzon Rusinë për krime lufte, kur ka lëshuar dy raketa në zonën civile të Kievit. Raketat, sipas njoftimit, janë neutralizuar nga sistemit mbrojtës antiajror.

Një sërë urash përreth Kievit janë hedhur në erë për të parandaluar avancimin e tankeve ruse. Në frontin e veriut dhe pranë kufirit me Bjellorusinë, ushtria ukrainase po përdor taktikat guerrile për të dëmtuar armikun.

Në jug të vendit, rusët kanë marrë pas 24 orë luftimesh ishullin e vogël Bile në Detin e Zi. Ukraina thotë se ka humbur kontaktet me të gjithë grupin e ushtarëve që ndodheshin në këtë ishull.

Ndërkohë, qendrat e rekrutimit të ushtarëve në Kiev kanë regjistruar radhë. Ministria e Mbrojtjes ka dalë me deklarata duke ftuar këdo që është i aftë të mbajë një armë që të paraqitet vetëm me një pasaportë, ndërsa ka nisur edhe ndarja e armëve mëngjesin e së premtes.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By