Meta: KE, nga komision teknik u kthye në komision politik. S’i meritonim negociatat
Presidenti Ilir Meta fajin për refuzimin e Bashkimit Europian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë e sheh në Tiranë. Kreu i shtetit i referohet qëndrimit të Holandës për të mbështetur këtë deklaratë, ndërsa nuk flet me bindje nëse realizimi i zgjedhjeve vendore më 13 tetor do të prodhonte një rezultat tjetër.
“Holanda ka 3 vjet që na paralajmëron për çështjet që kanë të bëjnë me kriminalitetin dhe lidhjet e grupeve të krimit të organizuar shqiptar dhe azilantët dhe këto janë probleme të ngritura nga policia holandeze, por ne kemi bërë sikur nuk janë kaq serioze”, deklaroi Presidenti Meta në një intervistë për News24 dhënë këtë të diel.
Presidenti foli për një fushatë “demonizuese” ndaj Francës dhe Holandës, dy vendet më të zëshme që refuzuan hapjen e negociatave për Shqipërinë. Për Qeverinë, vendimmarrja e Francës është e pabazuar dhe një prej pikave të forta ku mazhoranca mbrohet për të argumentuar se refuzimi nuk lidhej me reformat në Shqipëri janë raportet e Komisionit Europian. Presidenti i zhvlerësoi këto raporte. Ai tha se Komisioni Europian për herë të tretë ka rekomanduar hapjen e negociatave, por shpesh është akuzuar se më shumë se teknik, raportet e tij kanë qenë politike.
“Ajo që ka ndodhur praktikisht dhe që Franca, por edhe vende te tjera e kanë bërë evidente e që ka një bazë reale, është që Komisioni Europian, nga një komision teknik shpesh është shfaqur si një komision politik.Ndërsa vendet anëtare nga vendimet politike që do të duhet të merrnin bazuar mbi raportet teknike, janë bërë më teknike, pra nuk i marrin të mirëqena raportet e Komisionit Europian, por thellohen në ecurinë e reformave, nga letrat në terrenin konkret, në rezultatet e tyre. Duke qenë se nuk u korrespondojnë këto suksese në shumë raste që raporton Komisioni Europian, vendosin kushte, pasi është në të drejtën e tyre, tërësisht legjitime, që një vend anëtar të mbajë qëndrime të bazuara në fakte dhe standarde”, u shpreh Presidenti.
Meta fton klasën politike që të gjejë problemet tek vetja, Maqedoninë e Veriut e sheh si “viktimë të rrethanave” brenda BE-së, ndërsa shton me bindje se nëse do të ishte respektuar dekreti i tij për zgjedhjet vendore më 13 tetor do të zbuste qëndrimin e europianëve.
Kam kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga të dyja palët, në mënyrë të veçantë nga qeveria, për të reflektuar, me qëllim në radhë të parë organizimin e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse më 13 tetor, por edhe për çështje të tjera që do të përmirësonin shanset e Shqipërisë për të marrë një dritë jeshile më 18 tetor. Kam qenë kaq i qartë për këtë çështje, aq sa në rast se nuk do të ndodhte kjo që ndodhi, premtova dhe një dekoratë, apo jo!
Presidenti komentoi edhe hetimin nga ana e mazhorancës përmes Komisionit Parlamentar të ngritur në Kuvend. Meta këmbëngul se nuk ka bërë asnjë shkelje të Kushtetutës dhe se kjo thuhet edhe në raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias. Meta akuzon përfaqësues të mazhorancës për rrjedhjen në media të draft-opinionit të Venecias, në të cilin flitej për tejkalim kompetence nga ana e Presidentit.
“Nuk ka shkelje të mëdha, apo të vogla. Nuk ka asnjë shkelje të Kushtetutës. Në materialin që rrodhi në media nga mazhoranca flitej për tejkalim kompetencash të Kushtetutës, term që nuk e njeh Kushtetuta”, tha ai.
Një tjetër temë ishte edhe reforma në drejtësi. Meta i qëndron bindjes se reforma është deformuar nga vullneti i shprehur në 2016 nga e gjithë klasa politike. Duke nënkuptuar pritshmëritë që ka për përmirësimin e ekonomisë dhe lirive të tjera të njeriut në vend, Meta vendosi disa kushte për të thënë një fjalë të mirë për këtë reformë.
“Fjalën e mirë do ta them kur Banka Botërore të përmirësojë pozitën e Shqipërisë në nivel botëror përsa i takon klimës të të bërit biznes, kur Transparency International të përmirësojë në mënyrë të ndjeshme renditjen e Shqipërisë dhe kur Reporterët pa Kufij ta përmirësojnë atë. Këta janë indikatorët e vërtetë të reformës në drejtësi”, u shpreh Presidenti.