⁣Krasniqi: Haga padrejtësi

15 Shikime
Gazeta Si
0
Published on 09 Nov 2020 / In Lajme

Jakup Krasniqi hodhi poshtë akuzat e ngritura nga Gjykata Speciale e Hagës duke i cilësuar ato si të rreme dhe fyese, jo vetëm për të, por për të gjithë popullin shqiptar dhe shqiptarët e Kosovës në përpjekjet e tyre për liri.

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kreu i Kuvendit për dy mandate doli para gjykatës në seancën paraprake për t’u njohur me akuzat dhe për t’u vetëdeklaruar jo fajtor. Krimet e përmendura në akuzë janë në periudhën mars 1998-shtator 1999 dhe gjykata thotë se ato janë kryer ndaj personave që perceptoheshin se kishin bashkëpunuar me ushtrinë serbe, ose që konsideroheshin si kundërshtarë, ose që nuk mbështesnin linjën e UÇK-së.

“Në aktakuzë na quani ndërmarrje kriminale: deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit, as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë. Kurrë në jetën time nuk kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë. Qëllimi im ka qenë lufta për liri. E ndjej veten më shumë se mirë dhe kurrë nuk do të dëshiroja të jem nën petkun e njerëzve me shpirt krimineli. Jam intelektual. Kam luftuar Serbinë politikisht, asnjëherë në deklarata nuk kam drejtuar gishtin ndaj popullsisë civile”, tha ai.

Krasniqi e cilësoi aktakuzën fyese dhe se ajo përçan shqiptarët mbi bazën e përkatësisë fetare të tyre.

“Në aktakuzë përpiqeni të ndani shqiptarët në katolikë dhe myslimanë. Unë jam shqiptar, as katolik dhe as mysliman! Kjo është fyese për mua!”, vijoi ai.

Ish-kreu i Kuvendit hodhi poshtë edhe cilësimin e UÇK-së si “ndërmarrje kriminale” dhe e vlerësoi procesin edhe më të padrejtë se sa proceset gjyqësore të organizuara nga serbët ndaj shqiptarëve në vitet para luftës, ku edhe vetë e ka vuajtur një të tillë.

“Cilësimi i prokurorit se ne qënkemi ndërmarrje kriminale për mua dhe shokët e mi, familjen time që luftuam gjatë...nuk ka diçka më fyese. Mua më ka dënuar regjimi jugosllav pse kam lexuar libra dhe pse kam folur dhe më besoni se ata më kanë akuzuar dhe dënuar me shumë më të drejtë se këtu”, u shpreh ai.

Krasniqi tha se e ndjente veten krejtësisht të pastër dhe se nuk kishte nevojë për avokat, por se e kishte marrë atë për shkak të presionit familjar dhe të miqëve të tij. Hodhi poshtë përgjegjësinë për krimet e pretenduara në akuzë, duke deklaruar se detyra e tij si zëdhënës i UÇK-së ka qenë publike.

“Nuk mbaj asnjë përgjegjësi të vetme me këtë që akuzohem, as të veprimit dhe as të mosveprimit. Detyra ime ka qenë publike, kryesorja ka qenë zëdhënës i UÇK-së. Gjithçka që kam bërë ka qenë publike dhe jo vetëm shqip, por edhe gjermanisht, anglisht, italisht e frëngjisht. I kam dhënë zë luftës së UÇK-së. Kishim të drejtë të luftonim për liri dhe në sajë të asaj të drejte morëm edhe mbështetjen ndërkombëtare, pa të cilën nuk do ta çlironim dot Kosovën”, vijoi Krasniqi.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së tha se po mbahej me pa të drejtë dhe se në javët dhe muajt në vazhdim do ta provojë pafajësinë e tij.

Më shumë
0 Komente sort Sort By