Interpelanca për Teatrin, Rama përgjigjet me gjuhën e artistëve
Kryeministri Edi Rama nuk e zgjati shumë fjalën në mbrojtje të vendimit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Kreu i Qeverisë iu përgjigj shkurtimisht pyetjeve të ngritura nga një grup deputetësh të opozitës parlamentare, udhëhequr nga Rudina Hajdari, që e kishin thirrur në një interpelancë për këtë çështje.
Rama mori pak më shumë se gjysmën e kohës prej 20 minutash të vendosur në dispozicion për t’iu përgjigjur pyetjeve të opozitës parlamentare. E nisi duke deklaruar se ai vetë nuk kishte më se çfarë të shtonte nga fjalët që ka thënë për nevojën e teatrit të ri dhe pse godina ekzistuese nuk kishte asnjë vlerë për t’u ruajtur dhe në vend të kësaj citoi deklaratat e artistëve që kërkuan një godinë të re teatri dhe që deklaronin se godina e vjetër nuk kishte asnjë vlerë kulturore dhe historike.
Megjithatë, Rudina Hajdari hodhi akuza se i gjithë procesi, që nga transferimi i godinës së Teatrit në pronësi të Bashkisë së Tiranës e deri tek shembja e saj ka qenë i paligjshëm. Deputetja e grupit parlamentar demokrat tha se përmes një vendimi të vitit 2000, godina ishte pjesë e një ansambli të mbrojtur me ligj dhe hodhi dyshime se përmes një vendimi të Qeverisë në 2017, Kryeministri Edi Rama.
“Në transferimin tek Bashkia e Tiranës është vetëm sipërfaqja e Teatrit Eksperimental, nuk është Teatri Kombëtar që i keni kaluar Bashkisë së Tiranës. Atëherë si u shkatërrua Teatri Kombëtar? Ju nuk ja keni kaluar fare Bashkisë së Tiranës godinën e teatrit kombëtar. Në vitin 2000 keni dashur të merrni Teatrin e Kukullave në pronësi të Bashkisë së Tiranës dhe Gjykata Kushtetuese e ka kundërshtuar këtë transfertë, sepse ka qenë në kundërshtim me nenin 116 të Kushtetutës, për artin dhe kulturën. Teatri Kombëtar është institucion qendror publik që mbrohet me ligj dhe nuk mund t’i transferohet Bashkisë së Tiranës me VKM. Fiksimi juaj do t’u kushtojë rëndë. Me VKM nr. 325 keni përgjysmuar qendrën historike, pse e keni përgjysmuar? Pse e keni dashur atë truall në 2017? Është përgjysmuar trualli në mes të Tiranës”, tha Hajdari.