Gati drafti për legalizimin e hashashit, Rama: 1 vit që punojmë
Qeveria shqiptare është duke i dhënë dorën e fundit projektligjit që do të legalizojë në vendin tonë kultivimin e hashashit për qëllime mjekësore.
Lajmi është konfirmuar këtë të shtunë në konferencën për shtyp të Kryeministrit Edi Rama me kreun e delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. Drafti është në fazë të avancuar dhe për te Rama tha se ka marrë dakordësinë e ekspertëve vendas dhe të huaj.
“Kemi një vit që po punojmë, edhe pak dhe do të jetë gati. Ne asnjëherë nuk bëjmë punë pa u konsultuar me ekspertë vendas dhe të huaj, jemi konsultuar me ekspertë të huaj”, tha ai.
Kryeministri nënkuptoi se drafti është bazuar në përvojat e vendeve të tjera dhe shpejt do të jetë publik për konsultim. Ideja fillestare për legalizimin e hashashit është hedhur nga ish-deputeti socialist, tashmë kryetar i partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima, që në vitin 2014.
Të njëjtën ide, Kokëdhima e rihodhi në qarkullim gjatë vitit 2016, kur Qeveria u akuzua për kanabizimin e vendit. Vetë Rama as e kundërshtoi dhe as e pranoi publikisht në atë periudhë, por përfaqësues të tjerë socialistë e cilësuan nismën si të parakohshme për kushtet e vendit tonë.
Por, në fillim të muajit prill nga goja e vetë Kryeministrit u shqiptuan fjalët se diçka kishte ndryshuar për këtë temë dhe se diskutimi i saj në Qeveri, jo vetëm nuk ishte më një tabu, por kishte marrë udhë.
“Atë pa leje nuk e lejojmë, atë me leje po e studiojmë se të tjerët e kanë bërë. Jemi shumë të avancuar, por akoma nuk jemi në kapitullin e fundit për ligjërimin e prodhimit për arsye mjekësore, sikur e kanë pothuajse të gjithë, disa e kanë më të hapur, por jo, kaq”, deklaroi Rama gjatë një interviste dhënë për “Zonë e Lirë”.
Ndërkohë, në lidhje me këtë propozim të Qeverisë ka reaguar prerazi kundër Lulzim Basha. Kryedemokrati hamendësoi se për këtë Rama nuk kishte marrë asnjë “OK” nga ndërkombëtarët dhe se drafti që po shqyrtohet nuk është gjë tjetër veçse legalizim i kanabizimit të vendit, që kreu i opozitës e cilësoi “fakt të kryer”.
“Kërkoi legalizimin e kanabisit sepse ka nisur procesin e kanabizimit në të gjithë vendin. Partnerët janë të informuar shumë mirë për këtë”, tha Basha