Frymëzimi i Metës këmbëzbathur mes freskisë së përroit, a po akuzon Matthew Palmer si të njëanshëm?
Mes ajrit të freskët të maleve dhe freskisë së ujërave të dëborës së shkrirë të përrenjëve, Presidenti Ilir Meta ka gjetur frymëzimin për të ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një pyetje, që në dukje adresohet përtej Atlantikut.
“Pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike: Pse nuk keni sy për të parë, apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, falë edhe paanësisë tuaj tepër të vonuar? Kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor?”, shkruan Presidenti në mbishënimin që i vendos videos së mësipërme të publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Presidenti nuk përmend asnjë emër, as në përshkrim dhe as në videon, ku e vetmja audio është zhurma e rrjedhës së përroit. Por, indiciet e dhëna në përshkrimin e videos të çojnë vetëm tek një emër dhe ai është Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.
Në intervistën e fundit të dhënë për Zërin e Amerikës, Palmer tha se SHBA nuk mban anën e Ramës, ndërsa përsëriti se sa i takon ligjshmërisë së procesit zgjedhor të 30 qershorit duhet të jenë institucionet shqiptare ato që të vendosin. Për këtë, në një intervistë të mëhershme dhënë po për Zërin e Amerikës para 30 qershorit, Matthew Palmer kërkoi që zgjedhjet të realizoheshin dhe më pas të vendoste Gjykata Kushtetuese kur të ngrihej për vlefshmërinë e tyre.
Në pyetjen e tij, Meta kërkon të dijë se përse po kërkohet një zgjidhje e krizës në Shqipëri nga një institucion që ende nuk ekziston, siç është Gjykata Kushtetuese dhe nuk shohin zgjidhjen që një tjetër institucion që ekziston, pra Presidenti i Republikës, ka ofruar.
Përgjigjen e jep vetë në fund të përshkrimit, por në formë pyetjeje, kur thotë: “Kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor?”.