Ekstradohen drejt Italisë tre të kërkuar
Autoriteteti shqiptare kanë ekstraduar në drejtim të Italisë tre shtetas të dënuar nga drejtësia italiane për vjedhje, vrasje dhe trafik droge.
Policia njofton se ka ekstraduar shtetasin e lindur në Elbasan me inicialet S.T, 50 vjeç. Ndaj këtij personi ka që në mars të 2017 një urdhër-arrest ndërkombëtar nga pala italiane pasi është dënuar për vrasje me paramendim.
Personi tjetër i ekstraduar është një 37-vjeçar me inicialet R.K., lindur në Fier. Urdhër-arresti për të është lëshuaar në janar të 2018 me akuzën e pjesëmarrjes në organizatë kriminale të trafikut të drogës.
I fundit është një 47-vjeçar i lindur në Krujë, që është dënuar me 6 vite burg për veprën penale të vjedhjes me armë.
Në muajin gusht mori fund ngërçi i ekstradimeve, pas një vendimi të organeve të reja të drejtësisë që deleguan gjyqtarë të Apelit në Gjykatën e Lartë për të zhbllokuar këtë mekanizëm. Alarmi u dha që në pranverë, ku disa të shumëkërkuar nga vendet e Bashkimit Europian rrezikohej që të liroheshin para ekstradimit për përfundim afatesh.