E rrethuar nga flakët, thirrja për ndihmë e koalas (Video)
E rrethuar nga flakët dhe me tymin e lëshuar prej tyre që i mbushte mushkëritë, një koala u zvarrit në një pemë gjysmë të djegur dhe prej andej lëshonte thirrjet për ndihmë për t’i shpëtuar ferrit që e rrethonte.
Me këtë përshkrim një grua australiane e identifikuar më vonë me emrin Toni rrëfeu për mediat vendase sesi u gjend përpara një dileme; ose të sfidonte flakët duke rrezikuar edhe jetën e vet dhe të shpëtonte koalan, ose të qëndronte në distancë dhe të shihte sesi flakët merrnin jetën e kafshës së gjorë.
Mes të parës dhe të dytës triumfoi e dytë dhe një pjesë nga veprimi heroik i gruas është filmuar nga partneri i saj, që qëndroi në distancë.
Në videon që qarkullon në internet shihet koala që në përpjekje për t’u ikur flakëve dhe tymit kalon në anën tjetër të një rruge. Por, as në anën tjetër situata nuk është më e mirë. Nga lëvizjet e kafshës shihet se shpuza e lënë pas nga flakët po i digjte këmbët, ndërkohë që më herët flakët kishin lënë gjurmë edhe në gjysmën e trupit të saj.
Fill pasi e largon në një distancë sigurie nga zjarri, çifti që e shpëtoi i ofron për të pirë ujë dhe i lag djegiet e shkaktuara nga zjarri. Mediat australiane thonë se çifti e dorëzoi koalan në një spital veterinar, ku kafsha po merr mjekim për djegiet e pësuar.
Uellsi Jugor në Australi është përfshirë prej ditësh nga zjarre masive, që këtë vit mbërritën shumë më herët. Flakët kanë lënë pesë persona të vdekur dhe kanë shkatërruar me qindra hektarë pyll, që shërbente si habitat i koalave.