Besa Shahini largohet në ditën e parë të shkollës, e zëvendëson Evis Kushi
Në ditën e parë të rihapjes së shkollave, një prej emrave të Qeverisë “Rama” që përflitej se do të largohet nga kabineti ka dhënë dorëheqjen.
Besa Shahini është larguar beftas nga drejtimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve duke ja lënë këtë post Evis Kushit, deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit.
Shahini ka qenë një prej emrave më të shënjestruar nga ana e opozitës për menaxhimin e situatës së Covid-19 në institucionet arsimore dhe për ndërhyrjen, sipas Partisë Demokratike, në autonominë e universiteteve.
Vetë ministrja Shahini e paralajmëroi largimin, kur në një intervistë televizive deklaroi se do të largohej në fund të mandatit nga Shqipëria dhe se nuk do të angazhohej në fushatën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit.