Basha zhvendos turin në Durrës: Të anulohen taksat lokale deri më 2021
Lulzim Basha zhvendosi turin e takimeve me qytetarët dhe bizneset jashtë Tiranës. Kreu i Partisë Demokratike u ndal në qytetin e Durrësit, nga ku bëri një panoramë edhe më të zymtë të gjendjes ekonomike dhe sociale në të cilën ndodhet vendi.
Basha thotë se dhjetëra tregtarë që takoi i treguan për rënien drastike të konsumit dhe për mosmarrjen e asnjë qindarke ndihmë nga shteti, duke faktuar, sipas tij, se dështimet e Edi Ramës po u kushtojnë shumë shtrenjtë qytetarëve, që po varfërohen edhe më shumë.
Opozita thotë se veç kësaj, bizneset po përballen edhe me faturime të rritura të energjisë elektrike dhe të ujit. Sipas Bashës, pronarët e bizneseve të vogla e përkufizojnë si vjedhje vendimin e Qeverisë për faturat aforfe të dritave dhe të ujit.
Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike, Basha është takuar edhe me pronarë hotelesh dhe agjencish turistikë, disa prej të cilëve të njohur si mbështetës të Partisë Socialiste.
“Disa prej tyre, të njohur në Durrës si mbështetës të PS, shprehën zhgënjimin për braktisjen e plotë nga qeveria për sektorin e turizmit. Kërkesa e tyre për anulimin e taksave lokale deri në mars 2021 është mbështetur nga Kryetari Basha. Të gjithë ishin të një mendimi se qeveria duhet të ndihmonte bizneset që të mbante hapur vendet e punës dhe jo të bënte amnisti fiskale për paratë e pista te krimit dhe të klienteles së saj”, thuhet në njoftimin e PD.