Avni Mula- Në Valsin e Përjetësisë
Momentet më të ligshta ndiente ato kur pesha e viteve mbi supe, nuk e linin të ngjitej më në skenë, por jehona e “Valsit të Lumturisë”, një nga krijimet e tij të para i falte kënaqësi të pamatshme, sepse vitet as e kishin zbehur e as e kishin mbuluar me harresë.
Në moshën 92-vjeçare, baritoni dhe kompozitori i madh shqiptar Avni Mula, fluturoi, siç shkruante e bija Inva në lajmërimin e përmortshëm se gjigandi i muzikës kishte fluturuar drejt valsit të përjetësisë.
I jetoi të gjithë kohët muzikanti gjakovar, i brumosur me kulturë shkodrane dhe i formuar në Konservatorin e Moskës, ku njohu dhe dashurinë e madhe të jetës, Ninën.
Ishte viti 1952, kujtonte dikur e ndjera soprano ruse, e cila e bëri Shqipërinë atdheun e saj, kur njoh me djalin e pashëm dhe elegant që këndoi për publikun atje “Luleborë”-n e Simon Gjonit.
Pastaj dashuria do të lindte në skenën e operas “Pagliacci”, të Leoncavallo-s. Dy këngëtarët lirikë – njëri bariton e tjetra soprano do të interpretonin fill edhe “Eugjen Oniegin”, të Çajkovskit.
Vite më pas, do të ishte e bija që do ta sillte produksionin e “Pagliacci”,në TKOB, aty ku prindërit e saj u ngjitën për dekada.
U martua me të bukurën soprano ruse dhe më 1957 do ta sillte me vapor nga Moska drejt portit të Durrësit e më pas në shtëpinë e tij në Shkodër.
Nga shumë dashuri të lëna në mes për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Rusisë, ajo mes Avni dhe Nina Mulës mbijetoi. Nina u kthye më 1960-n, pas letrës që i shoqi i dërgoi dhe prej asaj kohe për të afërmit e saj do të njoftohej përmes ndonjë letre të rrallë.
Por ishte puna artistike që i mbante të lumtur e të lidhur me njëri-tjetrin gjithmonë, brenda dhe jashtë skene.
Por në Tiranë, operat do t këndoheshin në gjuhën shqipe. E para opera që interpretuan në Teatrin e Operas dhe Baletit ishte “Jolanda” e Çajkovskit. Por Çajkovski tanimë nuk fliste rusisht dhe i takonte Avni Mulës ta ndihmonte të shoqen në interpretim, siç kish bërë ajo kur jetonin në Rusi.
“Ne kemi interpretuar bashkë shumë role në opera”, thoshte Avni Mula dhe ato më të bukurat, sipas tij, i kishte kënduar me Ninën. Pas skenës së Teatrit të Operas, rritën dhe dy vajzat e tyre, Adelinën pianiste dhe Invën soprano, sepse siç rrëfente Nina, qe e vështirë të gjeje dado që u përshtateshin orareve të vona të artistëve operistikë.
Edhe në vitet e brishta të moshës së shkuar, e kishte të vështirë të ndahej nga zakoni për t’u ndalur tek Teatrit i Operas dhe Baletit.
“Unë vij shpesh në TOB. Shikoj gjendjen që është sot opera, kujtoj miqtë dhe shokët e mi, që kemi punuar këtu”, kujtonte vite më parë artisti, i cili më 4 janar të këtij viti mbushi 92 vite të jetës, ku ndër to shumë i kishte kaluar në skenë.
Kujtonte vitin 1957, kur ishin transferuar nga opera e vjetër tek Akademia e Arteve në godinën e stilit sovjetik të Pallatit të Kulturës, tashmë me salla të restauruara dhe gati për shfaqje.
Kujtonte operan “Traviata”, “Berberi i Seviljes” “Skënderbeu”. Kujtonte se qe nga prijësit kryesorë të veprës dhe kujtonte se rolin e Skënderbeut e patën luajtur miqtë e tij, me të cilët ndau vitet e Konservatorit, si Gjon Athanas, Gaqo Çako e të tjerë.
Në vitet ’50 studentët shqiptarë në Moskë si Gjon (Xhon) Athanas, Ibrahim Tukiçi, Pjetër Gaci, Çesk Zadeja, Rifat Teqja , Agron Aliaj, Petrit Vorpsi e të tjerë, do të bëheshin elita e artit shqiptar.
Pasi interpretoi në opera role si Figar te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit apo Gjeta tek “Mrika” e Prenk Jakovës dhe siç numëronte ai, në mbi 30 opera më 1966-n, nga repertori u hoqën veprat e huaja.
Opera, ushqimi kryesor i këngëtarëve lirikë do të merrte fund dhe kështu Avni Mula do t’i kushtohej gjithnjë e më shumë kompozicionit.Kur kujtonte sesi ua hoqën operat e huaja, Avni Mula thoshte se artistin e mbante gjallë repertori.
Edhe kompozicioni, rrëfente ai i kishte falur shumë kënaqësi, veçanërisht kur këngët dëgjoheshin, vlerësoheshin dhe mbeteshin në memorien e popullit, edhe atij të thjeshtit që nuk kishte pasur mundësi të hynte në sallën e operas.
Kështu do të ngjitej në skenën e Festivalit të Këngës, qysh në edicionin e parë më 1962-shin, me disa interpretime bashkë me miqtë e tij Ibrahim Tukiçi e Gjoni Athanas.
Në festivalin e katërt të Këngës në RTSh, do të krijonte të famshmin “Valsi i Lumturisë”. Të tjerë këngë që kanë mbetur të gjalla në breza janë edhe “Nënë moj do pres gërshetin”, e interpretuar nga Vaçe Zela më 1976, duke marrë çmimin e parë , “Këngët e Atdheut tim” apo “Shqipëri o vendi im”.
Në ato vite shkroi edhe operetën “Karnavalet e Korçës” dhe më 1984 –n operan “Borana”.“Sa i takon veprave të mëdha që i janë kushtuar atdheut, për mua vepra “Borana” mbetet më e bukura”, thoshte artisti, ndërsa opera do të ringjitej vite më pas në skenë, në vazhdën e rikthimit të veprave të kompozitorëve shqiptarë.
“Lamtumirë axha Avni! Kështu të qeshun do të kujtoj përgjithmonë”, shkruante pianisti Genc Tukiçi, biri i mikut të tij, Ibrahim Tukiçi, i cili kishte postuar një fotografi me Mulën në ditëlindjen e tij të 92-të.
Mesazhe ngushëllimi do të vinin edhe nga politika. Kryeministri Rama, kreu i PD-së Lulzim Basha, kryebashkiaku Veliaj, Kreu i Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës shprehën hidhërimin për ndarjen nga jeta të lirikut shqiptar. Kolos i muzikës shqiptare e cilësoi kreu i shtetit, ndërsa Ruçi e quajti “kolonë zanore të jetës shqiptare”, artistin e madh.
Në maj të këtij viti, sallës së koncerteve në shkollën e muzikës “Servete Maçi” iu vu emri i Avni Mulës. Në përurim qe edhe vetë artisti, i cili u ul të interpretonte në piano.
“Tashmë u bashkuan në qiell! Dhe unë kthehem në fëmijëri, kur muzika e Tij më dha emocionet e para: “Kur këndoj për ty moj nënë” “I ëmbël zëri i gjyshes” “Për çdo vit në maj” Sa shumë kujtime Avni Mula – paqe për Ty!” shkruante kantautori Ardit Gjebrea.
Mbi humbjen e Mulës ka reaguar edhe ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila shkruante ““Valsi i lumturisë” sonte fluturon lart në qiell me engjëjt duke marrë me vete shpirtin e artistit shumë të dashur Avni Mula, që jetoi me artisten e rrallë, lindi artiste të rrallë dhe lumturoi me muzikën e tij sa e sa artistë që e kënduan dhe artdashës që e adhuruan!”.
Kumbaro do të kujtonte edhe 90 vjetorin e ditëlindjes së Avni Mulës, një festë surprizë nga e bija, Inva, më 2018-n në mjediset e Teatrit të Kukullave.Një nga dëshirat, të cilën mundi ta realizojë me të shoqen sa qe gjallë ishte të vizitonte edhe nëjeherë Konservatorin “Çajkovski”, ku u formua si artist dhe gjeti dashurinë e jetës.Dëshirnte edhe të kthehej në vendlindje, Gjakovë për një shfaqje me dashamirët e artit, duke ia dalë ta realizonte me të bijën.
Për ndarjen nga jeta të Artistit të Popullit dhe Nderit të Kombit, dy tituj që vlerësuan karrierën e tij, do të reagonin edhe presidenti i Kosovës Thaçi dhe ish-kryeminstri Haradinaj, duek e cilësuar humbje të madhe të kulturës kombëtare.
Mula nuk e ndali hovin edhe në dhjetëvjeçarët e fundit, duke publikuar më 2008-n, videoklipin me Liljana Kondakçi “Udhëtim në Pranverë” dhe një vit më vonë videoklipin “Vajza me kaçurrela”. “Kam kënduar muzikën shqiptare dhe të huaj, e cila më ka falur shumë në jetën time dhe nuk kam pengje”, thoshte vite më parë Avni Mula, ndërsa Valsi i tij i Lumturisë do të jehojë gjatë tek shqiptarët.