Up next


Akt-akuza ndaj Thaçit, Rama: Brutalitet ndërkombëtar! Ta kundërshtojmë ndërkombëtarisht

5 Shikime
Gazeta Si
0
Published on 30 Jun 2020 / In Lajme

“Fletë-rrufe, paçavure dhe brutalitet ndërkombëtar fyes, ndaj të cilit shqiptarët duhet të bashkohen dhe ta kundërshtojnë ndërkombëtarisht”. Ky ishte mesazhi i drejtpërdrejtë që përcolli Edi Rama nga konferenca e shtypit në Prishtinë në përfundim të vizitës dyditore.

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë foli për rreth 1 orë e 40 minuta. Në krye të fjalës tha se vizita nuk synonte që të bashkonte klasën politike të Prishtinës, por për të përcjellë mesazhin se nuk bëhet fjalë për një akuzë ndaj dy personave.

“Kush mendon se këtu bëhet fjalë për një akt ndaj disa personave, apo se këtu bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë instrument për pastrimin e skenës politike, apo për çkapjen e shtetit, është ose naiv, ose tejet i verbuar nga mllefi. Nuk ka mundësi tjetër”, tha Rama.

Kryeministri foli për një moment kritik në të cilin ndodhen sot shqiptarët, veçanërisht ata në Kosovë, që mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën. Ai tha se qytetarët duhet të kuptojnë se bëhet fjalë për shumë më shumë se një akt-akuzë ndaj dy individëve.

“Nëse në këtë moment nuk ndajmë qartë drejtësinë me padrejtësinë....Qëndrimi im lidhet me padrejtësinë. Për mua ajo komunikatë që lajmëroi botën mbarë se pritet të vijë një akt-akuzë që nuk është formalizuar nga gjykata, përbën jo vetëm një shkelje flagrante të çdo praktike të mirë të drejtësisë ndërkombëtare, por edhe një akt brutal ndaj vetë Kosovës. Sot duhet pak vetëpërmbajtje dhe duhet fokus se ajo fletë-rrufe ka goditur shumë më larg dhe shumë më thellë sesa në ballin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Këtu bëhet fjalë për drejtimin e lartë politik të UÇK-së dhe përpjekje për të vendosur nën akuzë UÇK-në, si të ishte një ushtri e rregullt agresorësh që vinin nga Beogradi”, u shpreh ai.

Rama thotë se ky akt i ndërkombëtarëve nuk duhet nënvlerësuar, edhe për faktin se sipas tij, aleatët që urdhëruan bombardimin e Serbisë gjatë luftës kanë dalë në pension dhe “ndërkombëtarët” e rinj nuk janë familjarë si me krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

“Nëse e nënvlerësojmë sot këtë brutalitet... Nuk e dinë të gjithë se çfarë historie ka drejtësia ndërkombëtare në Kosovë. Ka më pak se 10 vendime nga Haga për Serbinë për deportim të 1 milion njerëzve me dhunë, pa llogaritur 20 mijë raste përdhunimesh dhe pastaj edhe të gjithë të vrarët dhe të zhdukurit dhe sa janë personat e proceduar në të gjitha këto shkallë gjyqesh për UÇK-në. Si ndërtohet ky raport?! Sa janë në Serbi ata që janë gjykuar për krime lufte?! Ka një disproporcion kolosal. Pastaj edhe nivelet e goditjes, ku në Kosovë goditen presidentë e kryeministra”, u shpreh ai.

Padrejtësinë ndërkombëtare ndaj Kosovës Rama e ilustroi edhe përmes procesit të liberalizimit të vizave.

“Për liberalizimin e vizave thanë që duhen plotësuar kushtet. U plotësuan kushtet dhe edhe vetë e pranuan, por më thanë që më parë duhej bërë demarkacioni me Malin e Zi. Se ç’lidhje kishte demarkacioni me liberalizimin e vizave?! Unë nuk di që në atë pjesë të kufirit të Kosovës kishte ndonjë shteg që të çonte në Paris. Pra, ishte një vendim krejtësisht politik. Megjithatë, u zgjidh edhe demarkacioni, por sërish vizat nuk u liberalizuan”, deklaroi Rama.

Për Ramën nuk ka asnjë mëdyshje që Kosova nuk duhet të vetëizolohet dhe dialogun me Serbinë duhet ta vazhdojë me ndërmjetësimin e SHBA, edhe nëse Uashingtoni do ta mbështesë akt-akuzën e ngritur ndaj Hashim Thaçit.

Një panoramë të qëndrimit të Uashingtonit e bëri ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, i sapokthyer nga një vizitë atje ku u takua me të dërguarin e posaçëm të Trump, Richard Grenell dhe zyrtarët e tjerë të lartë të DASH, si Palmer e Reeker.

“Vizita ka qenë e planifikuar më herët dhe nuk lidhej drejtpërdrejtë me Kosovën. Por ju siguroj tre gjera nga bisedat e mia atje, së pari që nuk ka marrëveshje sekrete. Së dyti nuk ka ndarje të Kosovës dhe kush i ka sytë në ballë dhe mend në kokë nuk beson që Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës bën plane për ndarjen e Kosovës. E treta nuk ka nxitim në rastin e Kosovës, për çdo interes elektoral në SHBA. Këto janë qëndrimet që edhe vetë Grenell i ka komunikuar në vazhdimësi. Të tjerat prirje për të shkaktuar keqkuptime të brendshme”, sqaroi Cakaj.

Nga ana tjetër, Rama hoqi të gjitha mëdyshjet edhe nëse ishte tërhequr nga nisma e përbashkët me Aleksandër Vuçiç për shengenin ballkanik, që e mbron si një zhvillim strategjik për shqiptarët. Ai hodhi poshtë si konspirative dhe të pabazuara zërat kundër kësaj nisme, sipas të cilëve nga kjo përfiton vetëm Serbia.

Rama tha se në agjendë kishte planifikuar edhe një takim me Ramush Haradinajn, por ky i fundit e kishte refuzuar për shkak të procesit gjyqësor ku është i paditur për shpifje. Megjithatë, Kryeministri njoftoi se tërheqjen nga kjo padi.

“Unë kam 22 padi për shpifje dhe kjo që kam bërë këtu për Ramushin ka bërë më shumë zhurmë, por janë 22 të tilla me figura politike kryesisht që i kam në proces. Nuk janë bërë publike dhe nuk i kam bërë për t’i bërë publike. Ramushit i kam kërkuar takim si të gjithë të tjerëve, për të shkuar ta vizituar në seli, apo shtëpinë e tij dhe si paditës që shkon tek i padituri besoj që nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën, për më tepër doja të diskutoja edhe me të për këtë çështje që është shumë më e madhe se Haradinaj, Hashimi dhe Kadriu, sepse ndikimet mund të jenë marramendëse për Kosovën në të ardhmen. E kam njoftuar që nuk do të bëj komunikime do të bëj një konferenc ku do të tërheq padinë, jo se ajo është e vogël për mua, por është shumë më e madhe ajo që sot është më e madhe nga të gjithë. Padia do të tërhiqet edhe zyrtarisht”, u shpreh Rama.

Më shumë
0 Komente sort Sort By

Up next