Aksion antikontrabandë në Mitrovicë, serbët bllokojnë sërish rrugët
Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion të beftë në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan, me anë të të cilit synon që të luftojë kontrabandën e mallrave.
Aksioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, ndërsa ka hasur në rezistencën e banorëve serbë që ashtu si përplasjet në Jarinë dhe Bërnjak kanë bllokuar disa rrugë të qytetit me kamionë.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e protestuesve, ndërsa raporton se nga aksioni ka sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash që kanë hyrë kontrabandë në Kosovë, kryesisht me prejardhje nga Serbia.
Mitrovica e Veriut, ku kontrolli i Qeverisë së Kosovës është thuajse inekzistent po përdoret prej vitesh tashmë si bazë jo vetëm e kontrabandës, por edhe e grupeve kriminale serbe që drejtojnë drejtojnë prej andej trafikun e lëndëve narkotike për në vendet e tjera, përfshirë këtu edhe anëtare të BE.
Kjo është përpjekja e radhës e Qeverisë së Kosovës për të vendosur kontrollin në këtë pjesë të vendit, ndërkohë që Serbia është akuzuar ndër vite si nxitëse e aktiviteteve të paligjshme në Mitrovicën Veriore.