Ajatollahu iranian “kërcënon” Shqipërinë, Rama: Jemi në duar të sigurta
Kërcënimet ndaj SHBA-së të lëshuara nga udhëheqësit e Iranit kanë prekur edhe Shqipërinë. Media iraniane në gjuhen shqipe “Pars Today”, në një artikull të publikuar këtë të mërkurë për fjalimin e liderit të Iranit Ajetollah Khamenei, citon një deklaratë të tij që i referohet Shqipërisë dhe strehimit të muxhahedinëve në vendin tonë.
Në fjalën e tij duke u fokusuar për teoritë e komplotit, në mënyrë indirekte Khamenei ka përmendur edhe Shqipërinë.
“Në çështjen e sigurisë, përpara ngjarjeve të muajit të kaluar në një vend të vogël dhe djallëzor europian, një element i Amerikës me disa iranianë mercenarë dhe tradhtarë që kanë shitur atdheun e tyre, ka bërë programe kundër Iranit. Plani ishte ajo që ne vumë re disa ditë më vonë në çështjen e naftës. Domethënë populli ishte i hidhëruar për çështjen e naftës dhe këtë e keqshfrytëzuan dashakeqët dhe armiqtë që u futën në veprim, prishën, dogjën dhe nisën luftë. Ky ishte plani i tyre i mëparshëm”, citon agjencia iraniane.
Megjithatë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk sheh ndonjë të re në deklaratën e ajatollahut iranian. I pyetur nga gazetarët në Vjenë, ku ndodhej në një vizitë në zyrat qendrore të OSBE-së, ku Shqipëria merr detyrën, Rama mbrojti qëndrimin e palëkundur në mbështetje të aksionit të SHBA.
"Kjo është një temë dhe çështje që nuk është e re për ne në raport me Iranin. Ne kemi ndërmarrë një verim që i bën nder Shqipërisë,ë në vazhdën e traditës shqiptare, në vazhdën e një aleance strategjike të panegciueshme dhe të padiskutueshme me SHBA për të mikpritur një grup njerëzish që janë në rrezik për jetën. Siç shkruhet në marrëveshjen e bërë, ata në Shqipëri janë si rezultat i një operacioni humanitar jo politik”, tha ai.
Rama e lë të hapur mundësinë që Irani të ketë një aktivitet spinazhi të lartë në Shqipëri për shkak të muxhahedinëve të strehuar në Manzë.
“Kemi jetuar në diktaturë dhe ne e dimë shumë mirë si veprojnë diktaturat, regjimet totalitare dhe janë të fiksuar për të kontrolluar gjithçka dhe për të asgjësuar çdo kundërshtar. Shqipëria e diktaturës ishte vend i vogël me resurse shumë minimale në raport me Iranin dhe kishte një kundërspiunazh të jashtëzakonshëm që vepronte në gjitha pikat ku kishte armiqtë e brendshëm të regjimit", deklaroi ai.
Por, në këtë rast, Rama mendon se jemi në duar të sigurta të inteligjencës së aleatëve, duke nënkuptuar këtu amerikanët.
“Unë nuk besoj që kjo e ekspozon në mënyrë të posaçme Shqipërinë dhe nuk kemi arsye ta besojmë këtë, se ne jemi në kontakt permanent me aleatët tanë dhe kur është puna tek inteligjenca ata janë të pakonkurrueshëm botërisht. Në këtë rast ne jemi në duar të sigurta. Nuk kemi arsye objektive të besojmë që ka një ekspozim të veçantë. Jemi të angazhuar në përditshmëri për këtë proces", vijoi ai.
Në Shqipëri janë strehuar rreth 3 mijë iranianë, muxhahedinë të MEK. Tirana zyrtare i ka strehuar në një kamp të veçantë në zonën e Gjirit të Lalëzit dhe se prej vitesh ato jetojnë e punojnë. Iranianët u zhvendosën nga kampi Ashraf në Irak, në kufi me Iranin dhe se për t’i ikur kërcënimeve u zhvendosën në Ballkan. Shqipëria pranoi këtë numër të lartë pas kërkesës së bërë nga ana e qeverisë amerikane. Irani ka kërcënuar se do t’i kundërpërgjigjet SHBA, por edhe aletatëve të tyre, e kjo deklaratë e lëshuar së fundmi mund të shihet edhe si një kërcënim për Shqipërinë, e cila ka mbështetur sulmin e trupave amerikane që eliminuan komandantin e Gardës së Iranit, Kasem Sulejmani.
Në fjalimin e tij, lideri suprem i Iranit duke folur mbi sulmin raketor të Iranit mbi bazën amerikane Ajnul Asad deklaroi se kjo ishte vetëm një shuplakë, por prania keqbërëse e SHBA-ve në rajon duhet ndaluar. Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve ISNA, Ajetollah Khamenei lideri suprem i Revolucionit Islamik, pati një takim me mijëra banorë të qytetit Kum. Ai sulmin me raketa ndaj dy bazave amerikane në Irak, e quajti vetëm një shuplakë dhe theksoi se përballja kryesore duhet të jetë në anën e dhënies fund të së keqes shkatërruese dhe destruktive të Amerikës në rajon.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shumë shpejt do të zhvillojë vizita në Ukrainë, Rusi dhe SHBA si pjesë e detyrimeve të drejtuesit të OSBE-së.
"Vizita jonë në Rusi është pjesë e axhendës të drejtuesit të OSBE dhe pjesë e angazhimeve që unë kam marrë. Janë disa vizita që do bëhen shumë shpejt. Më të shpejtat janë në Ukrainë, SHBA dhe Rusi. Për datat presim konfirmime nga palët", tha Rama.