Up next

3 dekada nga hapja e ambasadave, e kujtojnë Meta, Rama e Basha

9 Shikime· 07/02/20
Gazeta Si
Gazeta Si
1 Subscribers
1
In Lajme

30-vjetori i hapjes së ambasadave në Tiranë i gjen shqiptarët jashtë listës së qytetarëve që mund të udhëtojnë lirisht për në Bashkimin Europian, por këtë herë për të tjera arsye nga ato të 1990-ës.

Megjithatë, politika e ka përkujtuar këtë datës sipas këndvështrimit të saj. Kryeministri Edi Rama shkruan shkurtimisht se kjo datë duhet të na ndihmojë të kuptojmë çmimin e lirisë.

“30 vjet nga eksodi historik i shqiptarëve, një kohë për të kuptuar çmimin e lirisë dhe dëshirën e zjarrtë të shpirtit shqiptar që u përball me diktaturën dhe luftoi për lirinë”, shkruan ai në postimin që e shoqëron me një video nga hyrja e shqiptarëve në Ambasadën gjermane.

Pamjet e 3 dekadave më parë shoqërohen me këngën “Wind of Change” të Scorpions.

Presidenti Ilir Meta duke kujtuar sakrificën e atij brezi thotë se përkimi i 30-vjetorit të hapjes së ambasadave me marrjen nga Gjermania të kryesimit të BE-së duhet të shfrytëzohet maksimalisht për ta bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa dhe se është koha për kthimin e shqiptarëve në atdhe.

“30 vite më pas, në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore duhet të përmbushim sa më parë të gjitha kushtet, që të nisim negociatat e anëtarësimit me BE gjatë Presidencës gjermane. Presidenca gjermane e BE është një mundësi e shkëlqyer, dhe një sprovë e vërtetë për çdokënd që për Shqipërinë Europiane jo vetëm flet, por edhe punon. Koha për kthimin e shqiptarëve në vendin e tyre”, shkruan Presidenti.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e kujtoi këtë datë, duke deklaruar se 10 vite më parë, kur Shqipërisë iu dha liberalizimi i vizave, një pjesë e ëndrrës së shqiptarëve u realizua.

“Shqiptarët përmbushën një pjesë të kësaj ëndrre kur 10 vite më parë ne mundësuam liberalizimin e vizave. I jam kthyer jo pak herë me mendje dhe me emocionet e pashlyeshme të 16-vjeçarit, 2 korrikut 1990, e në veçanti ditën kur si Ministër i Brendshëm ndërmora bashkë me një grup të rinjsh dhe studentësh udhëtimin e parë pa viza të shqiptarëve drejt Europës. Le të jetë kjo ditë një shtysë dhe frymëzim për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve, për të rrëzuar çdo mur që na mban larg Europës së cilës i përkasim”, thotë kreu i PD.

Më shumë

 0 Komente sort   Sort By


Up next