12 mijë të pastrehë, gjysma e tyre nëpër çadra

7 Shikime
Gazeta Si
0
Published on 04 Dec 2019 / In Lajme

Qeverita flet për rreth 12 mijë persona jashtë banesave të tyre për shkak të tërmetit. Më shumë se gjysma e tyre vijojnë të mbeten të strehuar nëpër çadra, ndërsa pjesa tjetër nëpër hotele, banesa sociale dhe ambiente të tjera publike e private.

"Strehimi ka shkuar 12 mijë persona që janë akomoduar në hotele, çadra, qendra sociale, palestra, etj. 4 mijë persona janë në hotele, 254 në palestra, 6.5 mijë në çadra, 395 në qendra sociale, 769 në Kosovë dhe 436 në akomodime të tjera. Përsa i takon dëmeve, në 26 shkolla me 10300 nxënës janë me dëme, 15 në Durrës, 2 në Lezhë dhe 9 në Tiranë. Nga objektet 656 janë inspektuar në Durrës, 242 të pabanueshme, 27 për t'u prishur. Në qarkun Tiranë janë 525 pallate të dëmtuara dhe 3921 banesa dhe 146 biznese”, deklaroi ministri Bledi Çuçi.

Çuçi tha se këtë të mërkurë nis dhënia e lejeve përkatëse në zonat e goditura në Durrës, Lezhë dhe Kurbin për ndërhyrjet në godinat që janë dëmtuar, por që mund të riparohen. Ai foli për 20 godina të shembura deri më tani, ku 12 janë në qytetin e Durrësit dhe 8 në zonën e Thumanës.

Sipas të dhënave të përditësuara të Qeverisë, pjesa më e madhe e personave dhe familjeve që ndodhen ende nëpër çadra janë në zonat rurale mes Durrësit, Tiranës dhe Lezhës. Për këtë arsye, zv.Kryeministri Erjon Braçe kërkoi që vëmendja tani të përqëndrohet në këto zona.

"E gjithë vëmendja të përqendrohet te zonat rurale për shkak edhe të motit. Të dërgohen çadra dimërore. Banorët e Krujës dhe Vorës të strehohen në Tiranë në banesa me qira”, tha ai.

Braçe vlerësoi punën e ekspertëve në vlerësimin e sigurisë së godinave. Ai tha se për pjesën më të madhe të ndërtesave të kontrolluara prej tyre, ekspertët kanë dhënë siguri.

Për vlerësimin e dëmeve, është bërë një punë shumë e mirë deri tani, ekspertët kanë dhënë siguri për një pjesë të madhe. Edhe në këtë aspekt, zv.Kryeministri kërkoi që vëmendja të zhvendoset tek zonat rurale, pasi siç tha, kanë mbetur mbrapa në vlerësimin e dëmeve.

Shqetësimin për mungesën e ndërhyrjes në zonat rurale e ka ngritur në ditët e fundit edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai këmbënguli në planin me tri pika të paraqitur nga opozita, ku është aktivizimi i 500 inxhinierëve për të vlerësuar dëmet, përmbylljen e procesit me shpejtësi dhe anulimin e 150 mln eurove kontrata koncesionare dhe devijimin e këtyre fondeve tek njerëzit në nevojë.

Më shumë
0 Komente sort Sort By